“Ndërtimi i vijës bregdetare në Vlorë” – Qeveria vë në dispozicion fondin prej 318 mln lekë
Qeveria ka miratuar së fundmi vendimin për bashkëfinancimin e shtesës së kontratës “për ndërtimin e vijës bregdetare të Vlorës”.
Bëhet fjalë për miratimin e fondit në vlerën 318 milionë lekë që vihet në dispozicion për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për bashkëfinancimin e shtesës së kontratës së punimeve, me nr. 2015/360-660, datë 13.5.2015, “Për ndërtimin e vijës bregdetare të Vlorës”, të bashkëfinancuar edhe nga Bashkimi Evropian.
“Fondi, në vlerën 318 550 000 (treqind e tetëmbëdhjetë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, nga zëri “Kosto lokale”, i miratuar në buxhetin e vitit 2017 për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, të përdoret për bashkëfinancimin e shtesës së kontratës së punimeve, me nr. 2015/360-660, datë 13.5.2015, “Për ndërtimin e vijës bregdetare të Vlorës”, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, me përfitues Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, sipas VKM pagesa për shtesën e kontratës së punimeve do të bëhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bazë të kërkesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ngarkohet Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e tij.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.