Ndërtimi nxit prodhimin vendas – Rënia e importeve të materialeve sinjalizon forcimin e ofertës vendase
Pavarësisht se gjatë këtij viti është vënë re një bum në sektorin e ndërtimit, si për vepra publike ashtu edhe për vepra private, të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave flasin për një rënie të importit të kategorisë materiale ndërtimi dhe metale gjatë muajit Maj, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rënie ka bërë që kjo kategori të ketë impakt negativ në rritjen e importeve në vend, me -0.3 pikë përqindje.
Në krahasim me muajin paraardhës ndërkohë, vihet re një rritje e këtyre importeve, por që është një dukuri sezonale.
Gjatë Majit, këto importe prekin shifrën e rreth 7 miliardë lekëve, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë fiksoheshin në rreth 8 miliardë lekë, pra një rënie me rreth 14%.
Duke qenë se, ndërtimi në Shqipëri ka hyrë në një cikël të fortë rritje, rënia e importeve në këtë kategori një rritje të ndjeshme të prodhimit vendas të materialeve të ndërtimit dhe metaleve.
Të dhëna të tjera të Instat ndërkohë flasin për një rënie të lehtë të kostos për materiale ndërtimi nga indeksi i kushtrimit në ndërtim për banesa, çka sinjalizon një ofertë më të madhe në treg.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.