Ndëshkohen mbi 600 biznese të rihapura – Ikonomi: Nuk respektuan masat anti Covid, apel subjekteve
Mbi 600 biznese janë penalizuar për shkak se nuk kanë zbatuar masat e nevojshme kundër Coronavirusit. Në një intervistë në skype për TV SCAN, zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, bën me dije se nga data 27 Prill kur janë hapur pikat e shitjes me pakicë e në vijim janë kryer mbi 16.500 kontrolle në terren dhe janë konstatuar biznese që neglizhojnë masat e domosdoshme për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Në kushtet kur më 18 maj është paralajmëruar që do të hapen baret dhe restorantet, të vlerësuar si biznese me risk të lartë, Ikononi thekson se kjo do të shoqërohet me rritje të kontrolleve.
Zv.Ministrja u bën apel subjekteve që të respektojnë masat në bizneset e tyre, duke u pajisur me maska dhe dezinfektant, si mënyra e vetme për të ndaluar përhapjen e infeksionit dhe për t’iu kthyer normalitetit.
Pas bllokimit të jetës ekonomike të vendit prej thuajse dy muajsh si pasojë e masave të marra ndaj COVID-19, tashmë bizneset po i kthehen një normaliteti të ri, ku kanë si detyrim që të punojnë në kushte sigurie.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.