Ndihma ekonomike, Basha: 30 mijë familje të përjashtuara – Ahmetaj: Punësimi është qëllimi
Skema e re e përfitimit të ndihmës ekonomike ka qenë temë e debateve të ashpra në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin se u ka hequr bukën e fëmijëve 30 mijë familjeve dhe kërkoi rikthimin e menjëhershëm të tyre në skemën e ndihmës.
“30 mijë familje janë hequr pa e ditur se përse. Midis tyre, Edi Rama ka qëmtuar disa se qenkan me vila apo me makina. Nëse ata janë në skemë, ata duhej të ishin larguar nga skema jo sot, por një vit, dy vjet, tre vjet, katër vjet, pesë vjet më parë, se ky njeri ka pesë vjet që qeveris dhe nëse ata janë në skemë, është përgjegjësia e tij që të largoheshin nga skema, por Edi Rama nuk ka përgjigje për dhjetëramijëra të tjerë.
Këta njerëz që janë hequr, u është hequr buka e fëmijëve, për këta mban përgjegjësi Edi Rama, i cili ka bërë një akt kriminal. Nuk jam këtu thjesht për ta treguar me gisht si përgjegjës, por jam këtu për t’i kërkuar, t’i heqë kufjet, ato që vendos në parlament dhe ato të tjerat që i kanë bllokuar veshët dhe sytë për të parë Shqipërinë e vërtetë, t’i rikthejë menjëherë ndihmën ekonomike njerëzve në nevojë! Të ndalë gënjeshtrën se këta mund të ndihmohen me 6% e bashkisë!”, u shpreh kryedemokrati Basha.
Në replikë të kreut të opozitës ka reaguar Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, sipas të cilit qëllimi i reformës është të mundësojë punësimin e individëve. Sipas Ahmetaj, ka familje që e përfitojnë ndihmën ekonomike prej një jetë të tërë, kur në të vërtetë ajo supozohet të jetë një mjet për një moment kalimtar papunësie.
“Diferenca pas 2013, është që vendi ka në krye një maxhorancë të përgjegjshme, që patjetër që e shikon varfërinë, patjetër që bën reforma në favor të reduktimit të varfërisë. Po pse, maksimalja që ne japim 80 mijë lekë, është shumë? Po pse mesatarja 50 mijë lekë, që është dyfishi juaj, është shumë? Patjetër që nuk është shumë, por shpëtimi nuk është ndihma ekonomike. Shpëtimi është punësimi dhe të gjitha reformat që ne ndërmarrim, janë në favor të rritjes ekonomike dhe të punësimit”, u shpreh Ahmetaj.
Palët kanë debatuar edhe në lidhje me një raport të Bankës Botërore, ku sipas opozitës thuhet se 70% e familjeve të varfra janë përjashtuar. Për qeverinë, raporti shprehet vetëm se sistemi ka përmirësuar targetimin e familjeve në nevojë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.