Ndihma financiare, Tabaku: “80 mijë biznese të vogla nuk përfitojnë asgjë nga buxheti, qeveria po diskriminon”
Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverisë se po lë jashtë paketës së ndihmës financiare 80 mijë biznese të vogla me të vetëpunësuar.
Sipas ish deputetes të Partisë Demokratike Jorida Tabaku, me shumën e disbursuar deri më tani qeveria ka kompensuar vetëm 5 për qind të bizneseve të vogla dhe 9 për qind të të vetëpunësuarve të këtyre bizneseve.
Tabaku shprehet se epidemia dhe kriza ekonomike që ajo sjell me vete i prek të gjithë dhe për këtë qeveria nuk duhet të bëjë diskriminime.
Ish deputetja demokrate ka publikuar një dokument ku sipas saj janë dy biznese të tjera të mbyllura me vendim qeverie (njëra taksi dhe tjetra biznes i mbyllur shpk) që u refuzohet dhënia e ndihmës ekonomike nga buxheti COVID-19.
“Që nga dita e djeshme gjithnjë e më shumë biznese të vogla me të vetëpunësuar më kanë nisur në inbox mua dhe kolegëve të mi mesazhe me prova të pakundërshtueshme për diskriminim që po u bëhet atyre. Plani ekonomik për biznesin e vogël është 18 milionë euro i rezervuar për 30 mijë biznese. Kushdo e ka të qartë që ky diskriminim do të ndodhte, ne si opozitë kemi ngritur këtë shqetësim që në ditën e parë. Fatkeqësisht askush nuk na dëgjoi. Sot situata është më e trishtë, janë mbi 80 mijë biznese të vogla që nuk do të mund të marrin asgjë nga buxheti qeverisë. Me shumën e disbursuar deri më tani qeveria ka kompensuar 5% të Bizneseve të vogla në total dhe gati 9% të të vetëpunësuarve të këtyre bizneseve.
Ne kërkojmë mos diskriminim në këtë periudhë pandemie. Kriza ekonomike njësoj si virusi godet të gjithë shqiptarët, qofshin të majtë apo të djathtë. Prandaj duhet menduar më larg dhe duhet të jemi më vizionarë në politikat tona. Kjo është kërkesa jonë e vazhdueshme dhe këmbëngulëse.” shkruan Tabaku.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.