Ndryshimet e koncesionit të Rinasit – Rrëzohet dekreti i presidentit, Balluku: Nuk kemi shkelur asnjë ligj
Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta për rishqyrtimin e ndryshimit të kontratës koncesionare për aeroportin e Rinasit. Përfaqësuesit e presidencës thanë se rishikimi i koncesionit është bërë në shkelje të procedurave ligjore, si dhe në kundërshtim me udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për nënshkrimin e kontratave të reja, përpara zgjedhjeve të 25 prillit.
Ministrja e Infrasrukturës Belinda Balluku, hodhi poshtë akuzat, duke thënë se ekziston edhe një korrespondencë me KQZ-në, që ka lejuar ndryshimet në kontratën koncesionare.
Kontrata e koncesionit të aeroportit të Rinasit përfundonte në vitin 2022, por qeveria parashikoi një zgjatje 12-vjeçare, duke e lidhur me situatën e krijuar nga COVID-19 në industrinë e aviacionit e që sipas Eurocontrol do të duhen 5-10 vjet për të rikthyer situatën normale. Ndërkaq, ndryshimet e termave në këtë kontratë pritet të sjellin ulje të çmimit të biletave ajrore si pasojë e uljes së tarifës së pasagjerit, linjave direkte për fluturime transoqeanike, si dhe liberalizimit të shërbimit të tokës dhe karburantit. Sipas ndryshimeve, tarifa e pasagjerit do të shkojë 10 euro, nga 12.5 euro që është aktualisht, ndërkohë që për fëmijët e mosëhs 2-12 vjeç ulja parashikohet në masën 40%. Ndërkaq, nga liberalizimi i shërbimit të tokës, çmimi i biletave ajrore parashikohet të ulet me 20%.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.