Ndryshimet kushtetuese. Hiqen koalicionet parazgjedhore, hapen listat dhe rritet pragu me 5%
Por çfarë parashikojnë ndryshimet kushtetuese që shkaktuan kaq shumë debat politik. Në projektligjin e firmosur nga 28 deputetë, kërkohet që nga sistemi actual me lista të mbyllura të shkohet në sistemin me lista të hapura ose pjesërisht të hapura, por pa ndryshuar sistemin zgjedhor në fuqi. Ndryshimet prekin nenin 64 të kushtetues që parashikon rregullat e përgjithshme të sistemit zgjedhor dhe neni 68, që ka rregullat për kandidatët për deputetë. Sistemi që propozohet është si proporcional rajonal me lista të hapura me një prag electoral 5 %. Në argumentet e paraqitura nga deputetët thuhet se ndryshimet do të garantojnë:
- Dhënia e mundësisë votuesve për të zgjedhur nga lista e kandidatëve të subjekteve zgjedhore , kandidatët më të parapëlqyer.
- Garantimi i mekanizmave për rritjen e përgjegjësisë të kandidatëve ndaj votuesve dhe uljen e rolit drejtuesve të partive politike për tju imponuar kandidatëve të zgjedhur.
- Zvogëlimi i mundësisë së korrupsionit dhe rritja e pavarësisë së kandidatëve në rolin e tyre si përfaqësues të votuesve në kuvend.
- Favorizimi i kandidatëve më të kualifikuar duke qenë se përzgjedhja e tyre do të bëhet drejtpërdrejtë nga populli.
Propozimi sipas deputetëve që e kanë propozuar bazohet në modelet e e Islandës, Letonia, Monako, Norvegjia apo Zvicra. Megjithatë ky ndryshim nuk e përcakton qartësisht, sa do të jetë hapja e listës, nga diskutimet e deri tanishme janë 2 propozime, hapja e plotë e listave dhe me 2 të 3. Ky detaj do të vendoset pas miratimit të kërkesës për ndryshime kushtetuese.
Por përveç aspektit që lidhet me kandidatët, parashikohet edhe heqja e koalicioneve parazgjedhore, duke e lënë vendosjen e koalicioneve pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Sipas arsyetimeve që vijnë prej tyre, thuhet se koalicionet duhet të ndalohen sepse:
- Reduktojnë konkurrueshmërinë
- Është përdorur nga partitë e vogla, që kanë përdorur partitë e mëdha për të kaluar pragun elektoral.
- Formimi i koalicione para zgjedhore nuk është as e drejtë dhe as liri kushtetuese.
Ky është ndryshimi më i madh që i bëhet kushtetues për aspekte zgjedhore që nga viti 2008, kur në konsensus partitë politike ndryshuan sistemin zgjedhor.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.