Ndryshimet në buxhetin e shëndetësisë – Rimbursohen analizat genetike dhe shtohet ndihma ekonomike
Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale do të të marrë në konsideratë disa nga propozimet e bëra nga grupet e interesit të cilat do të reflektohen në buxhetin e 2018. Rimbursimi i analizave genetike për fëmijët me Sindromën Down, ndryshimi i ndihmës ekonomike nga e pjesshme në të plotë duke shkuar në 5600 lekë nga 3500 që ishte më parë si dhe ngritja e qendrave të rehabilitimit për personat me aftësi të kufizuar.
“Ndihma ekonomike përmirësohet dhe nuk do të ketë më ndihmë ekonomike të pjesshme, pra do të jetë ndihmë e plotë. Kjo duhet qartësuar, nuk është shprehur qartë. Shkon nga 3500 në 5600 lekë”, sqaroi Bardhylka Kospiri, zv/ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka patur debate mes opozitës dhe mazhorancës sa i përket edhe propozimeve të tjera të bëra nga grupet e interesit, ku përfshihej edhe rritja e pagës minimale me 30%.
“Sa është në gjendja Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financës për të plotësuar nga këto halle që ne na janë parashtruar për dy ditë rresht? Ky është qëllimi kryesor që këto dëshira tonat që absolutisht jemi dakord, të bëhen realitet. Nëqoftëse Shoqata e të Verbërve ka një problem që disi i kompensohet jeta e përditshme, i bëhet pak më njerëzore, ajo ka një faturë financiare. Pyetja është shumë e thjeshtë, i ka qeveria këto fonde?”, tha deputeti i PD, Halim Kosova.
“Janë tre propozime që janë bërë, të cilat ju lutem na thoni. Është kjo për të verbrit që ka qenë dhe në buxhetin e kaluar dhe ju e dini mirë se për çfarë bëhet fjalë. Nuk është nevoja këtu ta shpjegojmë nga e para. Nëqoftëse ka mundësi, mirë. Nëqoftëse miratohet nga ne, të dy palët, kalon në komisionin e ekonomisë dhe është ai që vendos më pas, po ne sot këtu duhet ta kalojmë. E dyta, a është rimbursimi i analizës genetike. Ju thoni po, por ne duam konkretisht, a do ta miratoni shumën apo jo. Dhe e treta buxhetimi i fëmijëve”, u shpreh deputetja e Klodiana Spahiu.
Sa i përket propozimit të Shoqatës së personave të verbër e cila kërkonte një fond prej 40 milionë lekë për të vijuar investimet e mbetura në mes, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka marrë në konsideratë pasi kjo shoqatë nuk pranon që të kryhet një auditim për përdorimin e fondeve të mëparshme. Ndryshimet në buxhetin e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale do të kalojnë në Komisionin e Ekonomisë për të marrë aprovimin përfundimtar.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.