Ndryshimet në ligj – Komisioni i Prokurimit Publik, kur përfundon mandati i kryetarit dhe anëtarëve. Kriteret e përzgjedhjes dhe funksionet
Janë publikuar së fundmi Fletoren Zyrtare ndryshimet dhe shtesat në ligjin e prokurimeve publike. Këto ndryshime, të cilat pritet të hyjnë në fuqi pas 15 ditësh, kanë të renditur funksionet e Komisionit të prokurimit publik, përbërjen e tij dhe mandatin e Komisioni të Posaçëm të prokurimit publik.
Gjithashtu ligji i ri përmban kriteret që kërkohen nga anëtarët për të qenë pjesë e Komisionit të Prokurimit Publik, kur ky mandat shfaq shfaq papajtueshmëri, si edhe rastet kur përjashtohet shqyrtimi i ankesave nga kryetari, anëtarët dhe punonjësit. Ligji gjithashtu specifikon se
“Mandati i Kryetarit dhe anëtarëve ekzistues të Komisionit të Prokurimit Publik përfundon më 1 janar 2018. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, të shpallë njoftimin për aplikim, për përzgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të rinj brenda datës 1 korrik 2017. Në rast se kryetari dhe/ose anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik nuk emërohen deri në datën 1 janar 2018, sipas parashikimeve të këtij ligji, anëtarët aktualë do të qëndrojnë përkohësisht në detyrë, deri në përfundimin e procedurës së emërimit. Të zgjedhurit sipas dispozitave të këtij ligji, gjatë mandatit të parë të tyre ushtrojnë funksionet përkatëse si më poshtë: kryetari dhe nënkryetari për një periudhë 5-vjeçare dhe tre anëtarët e tjerë për një periudhë 3-vjeçare”
Përbërja, zgjedhja dhe mandati i Komisionit të Prokurimit Publik
Komisioni i Prokurimit Publik përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët një kryetar dhe një nënkryetar. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik emërohen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave.
“Këshilli i Ministrave publikon njoftimin për aplikim, të paktën, gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të kryetarit apo anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik dhe/ose jo më vonë se 30 ditë nga dita e përfundimit të parakohshëm të mandatit, sipas nenit 19/5. Këshilli i Ministrave, pasi shqyrton aplikimet e paraqitura dhe verifikon nëse kandidatët plotësojnë kriteret për emërim, i dërgon Kuvendit listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes, si dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për emërim. Gjatë përzgjedhjes së kryetarit dhe/ose anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, Kuvendi nuk është i detyruar të ndjekë renditjen e paraqitur nga Këshilli i Ministrave. Nëse vlerësohet e nevojshme, Kuvendi ka të drejtë të ftojë për intervistë kandidatët që plotësojnë kriteret për emërim. Nënkryetari i Komisionit të Prokurimit Publik duhet të ketë diplomë në drejtësi dhe zgjidhet me një shumicë votash të të gjithë anëtarëve në mbledhjen e parë të këtij Komisioni. Në rast të largimit nga detyra të nënkryetarit, për ndonjë nga shkaqet e parashikuara në këtë ligj, Komisioni, me plotësimin e numrit të anëtarëve të tij, mblidhet për të përzgjedhur nënkryetarin e ri”, thuhet në ligj .
Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik kanë një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik përfitojnë pagë mujore dhe/ose shpërblime të tjera financiare në të njëjtën masë me gjyqtarët e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
“Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit të Prokurimit Publik përfitojnë një pagë mujore, respektivisht 10 për qind dhe 5 për qind më të lartë se anëtarët e tjerë. Kryetari dhe/ose, në mungesë të tij, nënkryetari, përfaqëson Komisionin e Prokurimit Publik në marrëdhënie me të tretët, si edhe në marrëdhënie me institucionet dhe organizmat e tjerë, vendas apo të huaj. Rregullat e detajuara mbi procedurën përzgjedhëse, sipas pikës 3, të këtij neni, miratohen nga Këshilli i Ministrave”.m
Kriteret për t’u zgjedhur anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik
Anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) ka zotësi të plotë për të vepruar;
b) ka arsim të lartë në drejtësi;
c) me përjashtim të nënkryetarit, njëri prej anëtarëve mund të ketë diplomë në inxhinieri, ekonomi apo ndonjë fushë të ngjashme;
ç) ka mbi 8 vite përvojë pune, nga të cilat, të paktën, 3 vite në fushën e prokurimeve.
Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) ka zotësi të plotë për të vepruar;
b) ka arsim të lartë në drejtësi;
c) ka mbi 8 vite përvojë pune, nga të cilat, të paktën, 3 vite në fushën e prokurimeve dhe, të paktën, 2 vite në një pozicion drejtues.
Nuk mund të zgjidhet anëtar apo Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, personi që:
a) ka qenë i/e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) është larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore ose ka ndonjë masë disiplinore në fuqi.
Papajtueshmëritë e funksionit të anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik
Funksioni i Kryetarit dhe i anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik është i papajtueshëm me:
a) anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre;
b) administrimin apo drejtimin e shoqërive tregtare, personalisht ose me anë përfaqësimi;
c) çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe/ose veprimtarive kërkimore shkencore.
Mbarimi i funksionit të Kryetarit apo anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik
Funksioni i Kryetarit dhe anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik mbaron me përfundimin e mandatit ose para kohe kur:
a) jep dorëheqjen;
b) dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
c) është, për një periudhë 6-mujore, në pamundësi fizike për të ushtruar detyrën dhe/ose humbet përfundimisht aftësinë për të ushtruar detyrën.
Kryetari apo anëtari i Komisionit të Prokurimit Publik shkarkohet nga Kuvendi, kur ka një vendim gjykate të formës së prerë, si më poshtë:
a) për shkelje të dispozitave të këtij ligji apo të akteve të tjera ligjore;
b) për kryerjen e një veprimtarie që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin që rregullon konfliktin e interesave;
c) nëse zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij.
Në rastin e konstatimit të njërës prej shkeljeve, sipas pikës 2, të këtij neni, Kuvendi, me propozim të komisionit parlamentar përgjegjës, pezullon nga detyra kryetarin apo anëtarin, për të cilin është konstatuar shkelja, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.
Veprimtaria e Komisionit të Prokurimit Publik
Komisioni i Prokurimit Publik shqyrton ankesat e paraqitura prej tij kur në mbledhje janë të pranishëm, të paktën, 3 nga 5 anëtarët e tij, një prej të cilëve kryetari apo nënkryetari. Në përfundim të shqyrtimit të ankesave, Komisioni vendos me shumicë votash.
“Vendimet e marra nga Komisioni janë administrativisht përfundimtare. Këto vendime mund të ankimohen në Gjykatën Administrative, në përputhje me nenin 64/3 të këtij ligji.
Në përfundim të shqyrtimit, vendimi i marrë nga Komisioni, përveç palëve në proces u bëhet i njohur edhe subjekteve të tjera që preken nga ky vendim, si edhe publikohet në faqen e internetit të këtij institucioni, brenda 2 ditëve nga dalja e tij.
Askush nuk duhet të ndikojë mbi anëtarët e komisionit në vendimmarrje. Çdo përpjekje, e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për të ndikuar, dënohet me gjobë, sipas këtij ligji, pavarësisht procedimit civil apo penal, që mund të ketë filluar.
Rregullat e hollësishme të organizimit dhe të funksionimit të Komisionit të Prokurimit Publik miratohen nga vetë Komisioni me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.”.
Përjashtimi nga shqyrtimi i ankesave i kryetarit, anëtarëve apo punonjësve
Kryetari, anëtarët apo punonjësit e Komisionit të Prokurimit Publik nuk mund të marrin vendim apo të marrin pjesë në procesin vendimmarrës lidhur me një ankesë, në rastet kur ata kanë ndonjë lidhje ose marrëdhënie çfarëdo me ankimuesin apo operatorin ekonomik, përfaqësuesin ligjor ose të autorizuar prej tij apo me përfaqësuesit ligjorë, ndonjë nga anëtarët e strukturave administrative apo mbikëqyrëse të ankimuesit, ose me stafin përgjegjës të autoritetit kontraktor, përfshirë këtu marrëdhënie biznesi apo marrëdhënie familjare të drejtpërdrejtë ose farefisnore deri në shkallë të dytë, lidhje martesore, edhe në rast divorci ose marrëdhënie krushqie deri në shkallë të dytë, si edhe në rast të verifikimit të shkaqeve të tjera për përjashtim, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
“Kryetari, anëtarët apo punonjësit e Komisionit të Prokurimit Publik nuk mund të marrin vendim apo të marrin pjesë në procesin vendimmarrës lidhur me një ankesë në rastet kur ata kanë qenë të punësuar më parë nga autoriteti kontraktor apo operatori ekonomik palë në proces, pa kaluar, të paktën, 2 vjet nga përfundimi i marrëdhënieve të punës. Palët e interesuara kanë të drejtë të kërkojnë përjashtimin e kryetarit, anëtarëve apo punonjësve të Komisionit të Prokurimit Publik nga marrja e vendimit apo procesi vendimmarrës lidhur me një ankesë të paraqitur, kur konstatojnë një nga rastet e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni. Në këtë rast, vendimi për përjashtimin e një anëtari apo një punonjësi të Komisionit të Prokurimit Publik merret nga kryetari, ndërsa vendimi për përjashtimin e kryetarit merret nga Komisioni i Prokurimit Publik, i kryesuar nga nënkryetari, me shumicë votash”.
Raportimi
Komisioni i Prokurimit Publik përgatit raportin vjetor, i cili i prezantohet Kuvendit nga kryetari në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.
Përmbajtja e detajuar e raportit vjetor do të përcaktohet në rregullat e organizimit dhe funksionimit të Komisionit të Prokurimit Publik.
Raporti vjetor duhet të përmbajë, të paktën, të dhënat e mëposhtme:
a) numrin total të ankimeve dhe vlerën e tyre për secilin autoritet kontraktor, llojin e procedurës së prokurimit, si dhe fazën e procesit për të cilin është paraqitur ankimi;
b) numrin total të ankimeve të refuzuara dhe vlerën e tyre, për secilin autoritet kontraktor, llojin e procedurës së prokurimit, si dhe fazën e procesit për të cilin është paraqitur ankimi;
c) numrin total të ankimeve të pranuara dhe vlerën e tyre për secilin autoritet kontraktor, llojin e procedurës së prokurimit, si dhe fazën e procesit për të cilin është paraqitur ankimi;
ç) numrin e vendimeve të Komisionit të Prokurimit Publik të ankimuara në gjykatën administrative;
d) kushtet për pranimin e ankimeve dhe arsyet më të zakonshme për paraqitjen e ankimeve;
dh) informacion mbi problematikat e identifikuara në funksionimin e sistemit të ankimit për prokurimin publik.
Me kërkesë të Kuvendit, Komisioni i Prokurimit Publik mund të raportojë edhe për periudha më të shkurtra kohore apo për çështje të caktuara.
Raporti vjetor i Komisionit të Prokurimit Publik publikohet në faqen e internetit të këtij institucioni.”.
“Procedurat e ankimit administrativ”.
Me marrjen e ankesës me shkrim të ankimuesit, Komisioni i Prokurimit Publik përgjigjet me shkrim lidhur me përmbushjen e elementeve formale të ankimit, brenda 5 ditëve, duke filluar nga dita e nesërme e punës. Kur për shqyrtimin e ankesës i kërkohet informacion apo dokumentacion autoritetit kontraktor, Komisioni i Prokurimit Publik merr vendim, jo më vonë se 15 ditë pas marrjes së informacionit apo dokumentacionit të kërkuar. Përjashtimisht, nëse Komisioni i Prokurimit Publik, për shkaqe të ligjshme, nuk arrin të marrë një vendim brenda afatit 15-ditor, duhet t’i bëjë të ditur palëve në proces, arsyet e mosmarrjes së këtij vendimi. Nga ky moment, brenda 15 ditëve, Komisioni i Prokurimit Publik ka detyrimin të dalë me vendimin përfundimtar për shqyrtimin e ankesës.”.
Ankesat në proces
Për shqyrtimin e ankesave të paraqitura në Komisionin e Prokurimit Publik përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji do të vazhdojnë të zbatohen dispozitat e ligjit në fuqi në momentin e paraqitjes së ankesës.
Për shqyrtimin e ankesave të paraqitura pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, Komisioni i Prokurimit Publik do të zbatojë rregullat për organizimin dhe funksionimin që janë në fuqi, për sa kohë që ato nuk vijnë në kundërshtim me këtë ligj. Këto rregulla do të zbatohen deri në miratimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik, në përputhje me pikën 2, të nenit 76/5, të këtij ligji.
Ngarkohet Komisioni i Prokurimit Publik që, brenda 30 ditëve nga fillimi i punës/emërimi, të miratojë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tij në përputhje me parashikimet e pikës 5, të nenit 19/7, të këtij ligji.”. Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.