Ndryshimi i buxhetit, përtej emergjencave! Zbardhet relacioni-9 rialokime fondesh për shpronësimet, investimet, ristrukturimin e institucioneve e pagat
Akti normativ i qeverisë për ndryshimin e buxhetit të vitit 2017 është parashikuar të shqyrtohet në mbledhjen e së martës nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë. Edhe pse është konsideruar si një ndërhyrje në buxhet për t’i dhënë zgjidhje problematikës së krijuar për blerjen e energjisë elektrike në kushtet e thatësirës apo për të mbështetur kapërcimin e situatës së krijuar nga zjarret gjatë periudhës së verës, ky akt shkon dhe më tej duke sjellë edhe rialokime fondesh të tjera.
Akti normativ konsiston në ruajtjen e parametrave kryesore të buxhetit, të miratuar në fillim të vitit. “Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar, ndërkohë që të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit ndryshojnë në total vetëm për 2 miliard lekë, si rezultat i ndryshimit të treguesit të të ardhurave vendore, efekt ky neutral për buxhetin e shtetit” shkruhet në relacionin e nismës së depozituar në Kuvend.
Por çfarë ndryshon konkretisht?
Akti bën rialokime brenda zërave të shpenzimeve të buxhetit, përkatësisht:
-Rritjen e huamarrjes neto nga sektori energjitik me 3 miliardë LEKË, për të mundësuar përmbushjen e nevojës për energji elektrike deri në fund të 2017.
-Rialokimin e shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri të ngadaltë tek ato me ecuri të lartë. Gjithashtu, kemi propozuar kalimin e një fondi në masën 1 miliard lekë si kontingjencë te projektet e investimeve publike (me financim të brendshëm apo me financim të huaj), bazuar në performancën e tyre për periudhën e mbetur të vitit. Ky fond propozohet të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
-Rritjen e zërit “shpenzime personeli” me 300 milionë lekë, si pasojë e akomodimit të politikës së rritjes së pagave dhe ndryshimeve strukturore të disa institucioneve.
-Reduktimin e shpenzimeve të interesave me 4.1 miliardë lekë, si rezultat i menaxhimit efektiv të borxhit publik.
-Rritjen e shpenzimeve korrente me 200 milionë lekë, për të përballuar kryesisht shpenzime të lidhura me përfaqësimin e Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të gjykatave ndërkombëtare, për të evituar krijimin e detyrimeve të prapambetura, shpenzimet të lidhura me emergjencat civile, nisur dhe nga situata aktuale problematike e lidhur me temperaturat e lartë dhe zjarret në masive pyjore të vendit.
-Reduktimin e shpenzimeve për fondin e sigurimeve shoqërore të ISSH-së në masën 600 milionë lekë, duke u bazuar në realizimin faktit të 6-mujorit të parë të vitit 2017.
-Reduktimin me 200 milionë lekë të pagesë së papunësisë, nisur nga niveli i ulët i realizimit në 6-mujorin e parë.
-Shtimin me 1.2 miliardë lekë të fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, duke konsideruar realizimin faktik tij në fund të 6-mujorit, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara që kanë karakterizuar gjysmën e parë të këtij viti dhe pritshmëritë e përdorimit të tij për në gjysmën e dytë të vitit. Fondi prej 1 miliardë lekësh parashikohet të përdoret vetëm për emergjencat që lidhen me faktorë natyrorë.
-Shtimin me 500 milionë lekë të fondit të shpronësimeve, që është një nga elementet me të rëndësishme në progresin e projekteve të infrastrukturës publike.
Akti normativ u miratua nga qeveria me 16 gusht. Akti normativ vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe, maksimalisht 45-ditore. Përkohshmëria e këtij akti lidhet me kushtin e domosdoshëm të shqyrtimit të tij nga Kuvendi, i cili, nëse e miraton, e kthen atë në ligj.
SCAN (www.scan-tv.com)
Mëposhtë relacioni i plotë i ndryshimeve në buxhet:
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.