Ndryshimi i çmimit të ujit – Rregulla të reja për dëgjesën publike, prezantimi do miratohet nga ERRU
Ndryshimi i tarifave të ujit të pijshëm nuk mund të bëhet pa u konsultuar më parë me publikun e zonës ku operon shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve. Ndërkohë që, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar rregulloren e re, mbi bazën e të cilës ujësjellësat janë të detyruar të organizojnë dëgjesën publike. Sipas dokumentit, që TV SCAN e disponon operatorët duhet të organizojnë konsultimin para se të aplikojnë pranë Entit për ndryshim tarifash, por tashmë shoqëritë nuk kanë më të përcaktuar afatin kohor i cili deri më tani ishte 30 ditë përpara aplikimit.
Sa i takon prezantimit shoqëria duhet të përgatitë një prezantim që justifikon propozimin për nivelin e ri tarifor sipas modeleve të përcaktuara nga Enti, ndërkohë që ky prezantim duhet të marrë edhe miratimin e këtij të fundit para se t’i prezantohet publikut, një përcaktim që nuk ishte në rregulloren e mëparshme.
Ndërkaq, përveç banorëve të njësive të qeverisjes vendore ku ofron shërbim operatori, seanca dëgjimore është e hapur edhe për organizatat e mbrojtjes së konsumatorit apo të shoqërisë civile, medias, universitetit, strukturave komunitare, Komisioneve Këshillimore Qytetare, etj. Rregullorja përcakton se prezantimi i propozimit për tarifa të reja bëhet në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për publikun, në veçanti përshkruhet gjendja e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, objektivat e Shoqërisë UK për vitet e ardhshme, si dhe nevoja për rritjen e tarifave të këtyre shërbimeve.
Kjo pikë merr një rëndësi të veçantë, në një kohë kur nga eksperienca të ngjashme sikurse janë dëgjesat publike që realizohen për hartimet e Vlerësimit të Ndikimit të Mjedisit akuzohen se janë tejet teknike dhe të pakuptueshme nga pjesëmarrësit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.