Ndryshojnë abonetë – Udhëzimi i Gjiknurit: Të vendoset dhe numri i kartës së identitetit
Biletat e pajtimit mujor për transportin qytetës, që ndryshe njihen si abonte do të duhet të kenë të vendosur edhe numrin e kartës së identitetit të personit përdorues. Gjithçka përcaktohet në një udhëzim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, me datë 9 maj 2018, duke ndryshuar modelin e biletave aktuale.
Sipas modelit të ri të përcaktuar, numri ID do të vendoset poshtë fotografisë, që gjithashtu është e detyrueshme. Përveç këtij ndryshimi, udhëzimi përcakton edhe elementët e tjerë që duhet të përmbajnë abonetë, duke përfshirë çmimin si dhe llojin e biletës së pajtimit mujor, që mund te jetë e përgjithshme, studenti apo emërtimi për linjën në të cilën ajo vlen. Ky udhëzim, vjen pas një debati të zhvilluar rreth një vit më parë për përdorimin e të dhënave personale.
Gjatë korrikut të vitit të shkuar nëpër urbanët e kryeqytetit u vendosën njoftime për pajisjen e aboneve me fotografi dhe të dhëna personale të përdoruesit, por ai u konsiderua si abuziv nga Bashkia e Tiranës. Në atë kohë, ky dikaster bëri me dije se njoftimet ishin vendosur nga operatorët në mënyrë të kundraligjshme, ndaj u vendosën edhe 80 gjoba kundrejt tyre.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.