Ndryshon deklarimi i sipërmarrjeve – Angjeli: Të minimizohen kontrollet tatimore në biznese
Ndryshimet në ligjin e kontabilitetit do të sjellin rritje të standardeve të raportimit dhe transparencës për sipërmarrjet në tërësi si thjeshtim për njësitë e vogla, ku përfshihen edhe rreth 10 mijë biznese që u futën së fundmi në skemën e TVSH-së. Gjatë diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, deputeti socialist Anastas Angjeli, në cilësinë e relatorit, theksoi se ky ligj do të rrisë besimin tek investitorët e huaj dhe do të luftojë evazionin fiskal. Ndërsa kërkoi nga Ministria e Financave që të bëhet një fushatë informuese dhe tatimet të mos bëjnë kontrolle të shpeshta tek bizneset, por të krijohet një mekanizëm lehtësimi.
I pyetur lidhur me kostot që ka ky projektligj për sipërmarrjet e vogla, zv. Ministri i Financave, Elton Harxhi, i pranishëm në Komision theksoi se ulet barra e raportimit për bizneset e vogla, pasi do të bëjnë deklarim të thjeshtuar.
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar projektligjin “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” ndërsa deputetët e opozitës, përjashtuar ata të LSI-së, nuk kanë qenë prezentë në diskutime.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.