Ndryshon Fakulteti Ekonomik. Hapet tenderi për rikonstruksionin
Universiteti ‘Fan Noli’ në Korçë ka shpallur tenderin rikonstruksionin e Godinës së Fakultetit të Ekonomisë. Fondi limit është 55 milionë e 547 mijë lekë ndërsa dorëzimi I ofertave mund të bëhet deri më 09 nëntor 2020.
Fakulteti Ekonomik i Universitetit Fan Noli zhvillon aktivitetin në godinën e parë të kompleksit të godinave të universitetit. Kjo është një godinë 4 katëshe e ndërtuar me mure tulle dhe soleta monolite.
Mbulesa e objektit është një çati me strukturë druri dhe mbulesë me tjegulla qeramike. Deri para 1 viti ne kete godine ka pasur ambjentet dhe Rektorati i Universitetit i cili tashmë është zhvendosur në një godinë të veçantë duke lënë vend për plotësimin e nevojave për ambiente për mësim dhe administrim totalisht për Fakultetin ekonomik.
Godina e sipërpërmendur në fillimet e saj ka shërbyer si shtëpi fëmijësh dhe mbas adoptimit që i është bërë në vitet ‘80 është përshtatur për institutin e arsimit të lartë. Punimet e riparimit të përgjithshëm të kësaj godine janë kryer së fundmi para më shumë se 15 vjetësh dhe ndërkohë janë kryer punime të lokalizuara për riparime të nevojshme që kanë dalë si pasojë e përdorimit apo shtesave të ndryshme që janë bashkëngjitur kësaj godine në periudha të ndryshme.
Në momentin aktual është konsideruar e nevojshme ndërhyrja për rikonstruksionin e përgjithshëm të objektit duke krijuar ambiente më komode si për studentët ashtu dhe për pedagogët dhe stafin akademik. Ndërkohë është menduar ndryshimi i mënyrës së funksionimit të katit përdhe duke rihapur hyrjen dhe hollin nga pjesa lindore ose rruga kryesore e parkut, holl i cili momentalisht funksionon si ambienti i muzeut të universitetit.
Gjithashtu në katet e sipërme do të shtohen ambientet e nyjeve sanitare të cilat momentalisht janë të pamjaftueshme për kapacitetin aktual të godinës. Duke qenë se struktura mbajtëse e godinës është e realizuar me mure mbajtës me tulla të plota kjo gjë nuk lejon në shumicën e rasteve lëvizjen e këtyre mureve për të krijuar ambiente më të mëdha për sallat e mësimit. Ndërkohë atje ku këto salla duhet të ndahen për të krijuar më shumë ambiente të veçanta për stafin akademik këto ndarje do të realizohen me mure të lehta me gips dhe konstruksion metalik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.