Ndryshon ligji për regjistrimin e biznesit. Ndryshimi i ortakëve, deklarimi brenda 30 ditësh! Përndryshe gjobë 100 mijë lekë
Në Kuvend janë depozituar një serë projektligjesh të reja që në thelb reflektojnë rekomandimet që i janë dhënë vendit tonë nga Komitet i MONEYVAL-it, lidhur me masat që duhet të marrë vendi ynë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Një nga projektligjet është edhe ai për rritjen e mëtejshme të transparencës lidhur me ndryshimet e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik. Projektligji synon rritjen e mëtejshme të transparencës lidhur me ndryshimet e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik.
“Me anë të këtij projektligji parashikohet se aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji” shkruhet në relacion.
Gjithashtu, në këtë projektligj është parashikuar se moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë.
Ndërkohë, për shoqëritë aksionare mosplotësimi i detyrimit të përcaktuar në pikën 4, të nenit 43, të këtij ligji, ku përcaktohet se: “shoqëria aksionare nuk detyrohet të njoftojë çdo transferim të aksioneve. Shoqëria, së bashku me bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit njofton listën e plotë të aksionerëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative, si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj”, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.