Në 2020, 154 mln lekë tenderë më shumë se 2019 – Ankesa për 8.2% të procedurave, kryeson Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe Ministria e Shëndetësisë
Gjatë vitit 2020 institucionet publike tenderuan 264 mld lekë për punë, mallra e shërbime apo 154 mld lekë më tepër se një vit më parë, ku në total autoritetet kontraktore prokuruan 110 mld lekë. Ndërkohë që, 8.2% e tenderëve të zhvilluar janë ankimuar nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në garë, që kryesisht lidhen me kriteret e vendosur apo me parregullsi gjatë përzgjedhjes së fituesit nga Komisioet e Vlerësimit të Ofertave.
Të dhënat bëhen publike nga Komisioni i Prokurimit Publik që është organi më i lartë për dorëzimin e ankimimeve. Sipas KPP-së, ankesat përfshijnë 220 autoritete kontraktore, nga 1290 tilla, që kanë krijuar procedura prokurimi në Sistemin e Prokurimeve Elektronike. Ndërkohë që, fondi limit për të gjitha procedurat për të cilat janë depozituar ankesat është rreth 24 mld lekë, apo 9% fondit total të publikuar për prokurim nga institucionet. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë 2 institucionet ndaj të cilëve janë depozituar më tepër ankesa nga operatorët ekonomikë për procedurat tenderuese të realizuara gjatë vitit 2020.
Sipas të dhënave zyrtare, ndaj Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara u depozituan në total 89 ankesa, ndërsa ndaj Ministrisë së Shëndetësisë 26 ankesa. Në total, gjatë vitit që lamë pas u regjistruan 741 ankesa në total, prej të cilave 732 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 1 ankesë për procedurat konkurruese koncesione/PPP, 3 ankesa për procedurat e ankandit publik dhe 5 ankesa për procedurat konkurruese leje minerare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.