Në 5 muaj, 28.4 milionë euro për PPP-të – Bie ritmi i pagesave, aksi Milot-Morinë më i kushtueshmi
Në 5 muajt e parë të vitit janë paguar afro 3.54 miliardë lekë ose 46.7% e planit vjetor 2020 për kontratat kontratat aktive koncesionare të cilat janë me mbështetje buxhetore. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, 8 kontrata koncesionare/PPP kanë pagesa faktike buxhetore, për periudhën 5 mujore dhe për 5 kontrata nuk është kryer asnjë pagesë gjatë periudhës Janar-Maj.
Për koncesionet është planifikuar që deri në fund të vitit të paguhen nga pusheti i shtetit në total rreth 7.58 miliardë lekë, nga të cilat rreth 2.88 miliardë lekë janë investime dhe rreth 4.7 miliardë lekë shpenzime koherente. Të dhënat e financave tregojnë se krahasuar me pagesat faktike të vitit 2019 të cilat arritën vlerën 13.7 miliard lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2020 janë rreth 6.1 miliard lekë më të ulëta ose 44.7 përqind më pak. Pagesat e muajit Maj 2020 rezultuan në masën rreth 418.95 milion lekë ose rreth 43.9 milion lekë më pak se pagesat e muajit Prill.
Pagesa më e lartë e realizuar në muajin Maj është ajo prej rreth 130 milion lekë për kontratën e “Shërbimit të Skanimit në Dogana”, pagesë e cila përbën 31 përqind e totali të pagesave për muajin Maj dhe rreth 15.5 përqind të planit total vjetor, të ndryshuar, për këtë kontratë. Për periudhën 5 mujore, niveli më i lartë i pagesave është realizuar në muajin Shkurt me rreth 1.12 miliardë lekë, ku veçohet pagesën prej 390 milion lekë për kontratën e MIE “Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë”, pagesë e cila përbën 48 përqind të planit vjetor 2020 për këtë kontratë.
Elisabeta Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.