Në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar – Policia dhe Interpoli ndalojnë 2 shtetasit në Rinas
Policia e Shtetit ka njoftuar ndalimin e dy personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, kanë bërë kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të dy shtetasve, të cilët gjatë përpunimit të dokumentacionit kanë rezultuar persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapja e tyre u bë nga Policia Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe konkretisht:
Policia e Shtetit bëri me dije arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit shqiptar A.P., 40 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Roma. Gjykata e Venecias, Itali, ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
Gjithashtu, sipas njoftimit, po në Rinas nga shërbimet e Policisë Kufitare u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosovës i shtetasit kosovar R.Xh., 39 vjeç. Shtetasi në fjalë, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK, pasi autoritetet gjyqësore kosovare, kanë lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.
Sipas njoftimit, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën dhe Policinë e Kosovës po vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.