Në Kosovë, numër i madh i punëtorëve pa kontrata pune
Në tregun e punës në Kosovë, shumë punëtorë punojnë pa kontrata të punës në sektorin privat. Por, të dhënat e institucioneve qeveritare, përfaqësuesve të punëtorëve dhe komunitetit të biznesit, dallojnë shumë për nga përqindja.
Përderisa përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thonë se në treg më se 50 për qind e punëtorëve punojnë pa kontrata pune, përfaqësues të bizneseve thonë se kjo shifër arrin në më shumë se 20 për qind, kurse zyrtarë të Qeverisë vlerësojnë se tetë për qind e punëtorëve në treg janë pa dokumente.
Disa qytetarë, që punojnë në biznese kryesisht të vogla, pranojnë se punojnë pa kontrata pune.
Arsye e moskërkesës së një dokumenti të tillë nga punëdhënësi, sipas tyre, mund të ndikojë në humbjen e vendit të punës.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se më shumë se 150 mijë qytetarë në Kosovë llogaritet që punojnë pa kontrata pune.
“Ose nëse e marrim me përqindje, kalon mbi 50 për qind të punëtorëve, sidomos në kohën e verës e kalon mbi 60 për qind, sepse është një frekuentim më i madh i punëve gjatë verës”, deklaron Azemi.
Por, kjo përqindje është e papranueshme për zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se përqindja e punëtorëve pa kontrata pune mund të arrijë në rreth 10, eventualisht 12 për qind.
“Por, në perceptimin e përgjithshëm mund të arrijmë deri në 10 -12 për qind punëtorë pa kontrata pune. Kështu që nuk është ajo përqindje ( 50 për qind), sepse Kosova nuk ka as potenciale ekonomike të ketë aq shumë njerëz në treg pa kontrata pune”, thotë Ibrahimi.
Ndërkaq, sipas një hulumtimi që ka përgatitur Aleanca Kosovare e Biznesit, rezulton se më shumë se 20 për qind e qytetarëve punojnë në mënyrë joligjore.
Numri më i madh këtyre punëtorëve, punojnë në sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe atyre të shërbimeve.
Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, duke treguar arsyet e punës pa kontratë, tregon për Radion Evropa e Lirë, se 75 për qind e punëtorëve në treg punojnë me kontrata të punës.
“Arsye pse nuk kanë kontratë apo marrëveshje, janë punët sezonale, pasi për një periudhë të shkurtër punëtorët nuk dëshirojnë të lidhin kontratë, pasi janë në skema të ndryshme sociale”.
“Arsye tjetër është se shpeshherë punëtori është i interesuar të dalë jashtë vendit dhe nuk dëshiron të paguajë taksa dhe obligime tjera”, sqaron Shahini.
Gjatë inspektimeve në disa kompani private, vitin e kaluar Inspektorati i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë hasur në më shumë se 1100 punëtorë pa kontrata pune.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.