Në krye të Europës për rritjen e çmimeve – Të 5-tët në listë për çmimet e konsumit gjatë gushtit, kryesojnë ushqimet
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që shërben si bazë krahasimore me vendet e tjera të Europës, për muajin gusht fiksohet në 2.1%, tregojnë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Siç vihet re qartë edhe nga tabela e Instat, Shqipëria është vendi i 5-të në Europë me rritjen më të madhe të çmimeve gjatë Gushtit, pas Hungarisë, Polonisë, Cekisë dhe Rumanisë. Mesatarja europiane ndërkohë, fiksohet në 0.4%, tregojnë të dhënat zyrtare.
Ndikimin më të madh, plot 1.5 pikë përqindje nga 2.1 që është indeksi në gusht, e jep kategoria e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike. Në vendin tonë, rritja më e madhe e çmimeve, prej 4,1 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,8 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Komunikimi” me 0,4 % , “Shëndeti” me 0,2 % dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2 %.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.