Në orët e fundit të presidencës Trump fali ‘njerëzit e tij’ të akuzuar për korrupsion – Steve Bannon ndër to
Donald Trump ka falur ish-këshilltarin e tij Steve Bannon, midis shumë të tjerëve përfshirë reperë, financues dhe ish-anëtarë Kongresi në orët e fundit të presidencës së tij.
Në mesin e 73 personave të falur ishte Elliott Broidy, një mbledhës fondesh për Trump, i cili ka pranuar se loboi në mënyrë të paligjshme në qeverinë amerikane për të hequr hetimin e saj mbi skandalin e korrupsionit në Malajzi 1MDB dhe për të deportuar një miliarder kinez në mërgim.
Reperët Lil Wayne dhe Kodak Black – të cilët u ndoqën penalisht për armë mbajtje pa leje – dhe ish-Kryetari i Detroitit Kwame Kilpatrick, i cili po vuan një burg 28-vjeçar për akuzat e korrupsionit, gjithashtu u falën. 70 personave të tjerë iu ndryshuan dënimet.
Trump nuk u përpoq t’i jepte vetes një falje paraprake dhe nuk ka falur anëtarët e familjes së tij ose Rudy Giuliani, ish-avokati i tij personal. Julian Assange ishte një tjetër figurë i cili nuk ishte në listë. Megjithatë, prokurorët dhe studiuesit kanë thënë se një zonë gri në kushtetutë lejon që një president të lëshojë falje “sekrete”, pa njoftuar Kongresin ose publikun.
New York Times dhe CNN përshkruan faljen e Bannon, një ish-redaktor i Breitbart si një veprim i minutës së fundit për të mbrojtur Bannon nga gjyqi i tij i ardhshëm. Bannon do përballet me gjyqin në maj pas arrestimit të tij në gusht të vitit të kaluar në një jaht luksoz në brigjet e Connecticut, i akuzuar për mbledhjen e parave nga We Build the Wall, një mbledhje fondesh në internet për murin e diskutueshëm të kufirit me Meksikën.
D.B – SCAN
Burimi: The Guardian
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.