Në prag të sezonit të gripit – Më 18 tetor fillon fushata e vaksinimit
Në 18 tetor pritet që Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale të lançojë fushatën e vaksinimit kundër gripit. Specialistët këshillojnë që vaksinimi të bëhet dy javë përpara sezonit të gripit.
Madje, ajo mund të bëhet te pacientët edhe në dhjetor apo në muaj të tjerë, mjafton që të bëhet dy javë përpara se të prekë virusi i gripit. Në vendin tonë pritet që të qarkullojë virusi AH3N2, ndërsa edhe për këtë vit vaksina përmban këto shtame.
Ndërkohë që në të gjithë qendrat shëndetësore ka nisur shpërndarja e vaksinave, e cila ofrohet falas për ekipin mjekësor, të sëmurët kronike, gratë shtatzëna. Proces ky që pritet të përfundojë më 20 tetor në të gjithë vendin.
Në Shqipëri qarkullojnë tre lloje vaksinash, dy qarkullojnë tek privati dhe një tek shtetërori. Në Shqipëri sigurohen rreth 150 mijë doza vaksinash në vit, për të gjithë vendin, ndërkohë që duhen mbi 900 mijë të tilla.
Të parët që preken nga gripi janë fëmijët, të sëmurët kronikë dhe moshat e mëdha. Për të folur për një epidemi gripale duhet që të kemi mbi 16 mijë pacientë të prekur nga gripi. Vitin e kaluar në vendin tonë kanë humbur jetën si rezultat i gripit rreth 16 persona.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.