Në pritje të “Lufthansës” – Transporti i parave, grupi gjerman duhet të bindet për sigurinë
Zgjidhja e problemit të transportit të valutës jashtë vendit është në varësi të negociatave me kompaninë gjermane Lufthansa. Sipas burimeve nga sistemi bankar, grupi që zotëron edhe Austrian Airlines ka kërkuar informacione shtesë për masat e sigurisë të marra nga aeroporti i Tiranës dhe palët e tjera të përfshira për transportin e vlerave monetare. Nëse grupi gjerman do të bindet për masat e sigurisë, atëherë transporti i valutës jashtë nga sistemi bankar mund të nisë sërish. Nga pikëpamja operacionale, itinerari do të jetë i njëjtë. Paratë do të vazhdojnë të transportohen drejt Vienës, me fluturimet e kompanisë Austrian Airlines. Deri para grabitjes së javës së kaluar, ky operator kryente pjesën dërrmuese të lëvizjes së valutës jashtë vendit.
Përjashtim bënte vetëm Banka Kombëtare Tregtare, që e transportonte valutën përmes kompanisë Turkish Airlines. Ngarkesat shkonin sërish në Vienë, por me ndryshimin e vetëm se ato tranzitoheshin nga aeroporti i Stambollit. Sidoqoftë, për momentin, edhe Turkish e ka pezulluar transportin e vlerave monetare jashtë. Të paktën zyrtarisht, kjo lidhet me zhvendosjen e operacioneve në aeroportin e ri të Stambollit. Sipas burimeve nga tregu, Turkish do të rinisë transportin e valutës vetëm në muajin maj. Në rast se nuk do të gjendet një marrëveshje me Austrian, atëherë edhe bankat e tjera mund të konsiderojnë që të hyjnë në negociata me Turkish për marrjen e këtij shërbimi.
Gjendja e një zgjidhjeje për transportin e parasë jashtë ngelet e domosdoshme, edhe sepse sistemi bankar është mbilikuid dhe investimi brenda vendit i të gjitha fondeve në valutë është i pamundur. Deri në zgjidhjen e problemit të transportit, bankat po kërkojnë bashkëpunimin e Bankës së Shqipërisë, së paku për të garantuar ruajtjen fizike të fondeve në valutë. Aktualisht, këto para mbahen në kasafortat e vetë bankave, sepse Banka e Shqipërisë nuk kryen asnjë veprim me fonde në valutë. Megjithatë, edhe për shkak të situatës së krijuar, ekziston mundësia që banka qendrore të marrë përsipër të paktën ruajtjen fizike të vlerave në valutë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.