Në Prokurori dy Kontratat PPP – Grupi Parlamentar demokrat, kallëzim penal për Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren
Siç kishte paralajmëruar, Grupi Parlamentar Demokrat depozitoi kallëzim penal kundër dy projekteve PPP Orikum Dukat dhe Milot Balldren. Kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme me firmën e Deputetit Halit Valteri vetëm pak ditë pasi mazhoranca rrëzoi dekretet e Presidentit të Republikës, i cili i kishte kthyer për rishqyrtim të dy koncesionet.
Kallëzimi i drejtohet “Gjithë zinxhirit vendimmarrës të subjekteve kompetente nga specialist më i thjeshtë e deri te Këshilli i Ministrave në funksion të shkeljeve penale në funksion” të dy koncesioneve.
Në kallëzim, deputetët demokratë i kërkojnë Kryeprokurores Arta Marku fillimin e procedimit penal në funksion të veprave penale të parashikuara nga neni 258 i Kodit Penal “Shkelje e barazisë në tenderë” dhe nenit 248 i Kodit Rrugor Shqiptar, Autoriteti kontraktor deri tek vendimmarrje e Këshillit të Ministrave lidhur me shkeljet penale të konstatuara që kanë të bëjnë me PPP për segmentin rrugor “Porti i Jahteve- By Pas- Orikum- Dukat dhe PPP për segmentin rrugor Milot-Balldren”.
Të dy kontratat koncesionare janë prej kohësh nën akuzë nga aktorë të ndryshëm për kostot shumë të fryra, të cilat cenojnë interesat e taksapaguesve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.