Në Vetting kreu i Kushtetueses – Komisioni, pikëpyetje mbi 3 apartamente të Bashkim Dedjas
Dyshimet mbi burimet e të ardhurave dhe të pronësisë së tre apartamenteve kanë vënë në pikëpyetje rezultatet e testit të Vetting-ut për Kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ai i ka zgjedhur të përfaqësohet nga Avokati Maks Haxhia në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarut të Kualifikimit, për të justifikuar burimet e të ardhurave familjare. Haxhisë i është dashur të japë shpjegime mbi burimin e të ardhurave për tre apartamentet: I pari në Tiranë, bashkë me një garazh, me vlerë 180 mijë euro, i blerë përmes një kredie bankare 120 mijë euro dhe përmes dy huash prej 25 mijë eurosh të marra nga kunati dhe vëllai i tij.
Relatorja e çështjes Xhensila Pine bëri me dije se Komisioni ka verifikuar huanë 10 mijë euro marrë nga i kunati, i cili nuk ka qenë në Shqipëri ditën e nënshkrimit të huasë në një zyrë noteriale. Më pas Dedja ka paraqitur një dokument të dytë noterial, sipas të cilit shumën e ka barrë nga babi i kunatit dhe jo i kunati. Probleme kishte edhe huaja 15 mijë euro e marrë nga i vëllai, i cili nuk i justifikon këto të ardhura, pa llogaritur që në atë kohë ka blerë një apartament 42 mijë euro.
Apartamentin e dytë me vlerë 19 mijë euro Dedja e ka deklaruar fillimisht si blerje e përbashkët me të vëllanë, por në deklaratën Vetting, prona rezulton tërësisht në emër të gjyqtarit. Ndërkohë që Komisioni pretendon se Dedja nuk ka pasur aftësi paguese për të shlyer këstin e parë të blerjes së këtij apartamenti,
Problemi me apartamentin e tretë në Plazhin e Golemit me vlerë 1.9 milionë lekë qëndronte te fakti se ai është në emër të një vëllai tjetër, me banim në Dibër, por kontrata e OSHEE dhe faturat e energjisë paguhen nga vetë Dedja.
Avokati Maks Haxhia argumentoi para trupës gjykuese se mospërputhjet e pasurisë së huave nga i vëllai dhe kunati vijnë për shkak të informalitetit me të cilin përballeshin emigrantët shqiptarë vitet e mëparshme. Lidhur me shtëpinë në Golem, Haxhia tha se ajo është blerë nga vëllai i gjyqtarit Latif Dedja, por se për shkak se ai banon në një fshat të largët të Dibrës, e ka shumë të vështirë shlyerjen e faturave të energjisë. Gjë që ka marrë përsipër ta kryejë Gjyqtari Dedja.
Bashkim Dedja është gjyqtari i katërt i Kushtetueses që i nënshtrohet Vetting-ut, e cila aktualisht numëron vetëm 3 anëtarë. Vendimi përfundimtar mbi konfirmimin në detyrë apo shkarkimin e Dedjas do të jepet më 13 qershor.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.