Negociatat e dështuara, 20 mln lekë – Aeroporti i Vlorës, zbardhet VKM-ja e posaçme: Barrën e merr buxheti i shtetit
Dështimi i negociatave me 3 kompanitë turke, që shprehën interes për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë i kushtuan shtetit shqiptar rreth 20 mln lekë. Zyrtarisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pranuar se tashmë nuk do të ketë një marrëveshje me konsorciumin e kompanive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”. Ndërkohë që, TV SCAN zbardh një vendim qeverie, të miratuar në datën 21 mars të vitit të kaluar ku përcaktohet se për këshillimin ligjor, financiar dhe teknik gjatë negociatave do të kontraktohej një kompani, ndërsa fondi limit i vënë në dispozicion ishte pikërisht 20 mln lekë pa TVSH.
Ky vendim autorizonte ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, që në atë kohë ishte Damian Gjiknuri, për ngritjen e një komisioni të përbërë nga 3 vetë, për të kryer procedurën e përzgjedhjes së kompanisë së konsulencës. Nga ana tjetër, në VKM përcaktohej qartë që në rast se negociatat me shoqëritë turke do rezultonin të suksesshme, duke u finalizuar me nënshkrimin e një kontarte atëherë shpenzimet e konsulencës do të paguheshin prej tyre.
Por, në rast të kundërt këto shpenzime do të duhet të përballohen nga buxheti i shtetit. Miratimi i këtij vendimi, përcaktonte specifikisht zhvillimin e një tenderi të përshpejtuar, ndryshe nga forma aktuale e prokurimeve publike për shërbime. Ndërkohë që, ai erdhi pas hyrjes në fuqi të ligjit, gjithashtu i veçantë, që përcaktoi procedurën që do të ndiqej për negociatat e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.