Negociatat me Greqinë, Meta i jep autorizimin ministrit Bushati për vazhdimin e bisedimeve
Presidenti Ilir Meta ka firmosur pasditen e së hënës vendimin që autorizon ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati të vazhdojë negociatat me palën greke në nivel ekspertësh për çështjen e kufirit detar.
Vendimi vjen një ditë pas intervistës së kreut të shtetit shqiptar për gazetën greke “To Vima”, ku shprehej se marrëveshja e re nuk duhet të kalojë vijën e kuqe, duke iu referuar vendimit të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese.
Zyra e Presidencës ka njoftuar vendimin e Metës, i cili shkruan: ”Në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.
Më herët, Presidenti kushte refuzuar të jepte autorizimin duke kërkuar të saktësohej objekti i qartë për autorizimin e plotfuqisë, si dhe të mësoheshin emrat, funksionet dhe profesionet e atyre që do të ishin pjesë e grupit negociator.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.