Negociatat për Brexit, May: Dakordësia për periudhën e tranzicionit do arrihet në 7 javë
Kryeministrja e Britanisë Theresa May tha se periudha e tranzicionit pas Brexit do të negociohet me Bashkimin Europian pas 7 javësh, ndërkohë që përpiqet të lehtësojë shqetësimet se dakordësia mund të vonojë.
Bashkimi Europian i ka ofruar Britanisë një periudhë tranzicioni deri në fund të vitit 2020 pas Brexit. Të dyja palët synojnë të arrijnë këtë marrëveshje deri në fund të muajit Mars.
Megjithatë, ka mosmarrëveshje brenda konservatorëve të May mbi disa detaje si statusi i qytetarëve të BE gjatë tranzicionit. Shumë biznese dhe institucione bankare janë shqetësuar se një konflikt mbi kushtet e tranzicionit mund të vonojë apo përmbysë marrëveshjen.
“Në një afat 7-javor, ne do të kemi arritur një marrëveshje me Bashkimin Europian. Britanikët votuan që ne të marrim në kontroll paratë, kufijtë dhe ligjet tona dhe kjo është ajo që do të bëjmë”, tha May.
Bashkimi Europian dhe Britania shpresojnë të arrijnë një marrëveshje për daljen dhe mbi paktin tregtar deri në Tetor 2018.
Megjithatë disa zyrtarë europianë, kanë shprehur shqetësim se plani mund të dështojë nëse May nuk paraqet kërkesat e Britanisë për këtë pakt.
Pasi Theresa May të paraqesë kërkesat, Bashkimit Europian do t’i duhen disa javë për të përgatitur propozimet e veta.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.