Negociatat për Brexit, The Telegraph: Britania është gati të qëndrojë në unionin doganor
E përditshmja britanike, the Telegraph, bëri të ditur se Qeveria është përgatitur për t’i thënë Brukselit se do të qëndrojë në unionin doganor përtej vitit 2021, ndërkohë që ministrat nuk arritën një dakordësi mbi një marrëveshje për të ardhmen me Bashkimin Europian.
Ministrat kryesorë të Theresa May, të përfshirë në strategjinë për Brexit, ranë dakord këtë javë mbi një plan për të shmangur vendosjen e kufijve në Irlandë, diçka që e kishin refuzuar më parë.
Britania pritet të dalë nga blloku në Mars të vitit që vjen, pavarësisht se ka arritur një marrëveshje tranzitore për të mbajtur lidhjet tregtare të pandryshuara deri në fund të vitit 2020, deri sa një marrëveshje përfundimtare të arrihet në muajt e ardhshëm.
Kryeministrja Theresa May, ka thënë se Britania do të dalë nga unioni doganor, duke krijuar mundësinë që vendi të krijojë lidhjet e veta tregtare në të gjithë botën. Megjithatë, kabineti i saj është i ndarë mbi sistemin doganor që Londra do të kërkojë me bllokun.
The Telegraph raportoi se ministrat ranë dakord se Britania duhet të përpiqet që të qëndrojë brenda unionit doganor, nëse teknologjia që nevojitet për të operuar kufijtë nën propozimet e qeverisë nuk është gati deri në vitin 2021.
Negociatori i Bashkimit Europian, Michel Barnier tha se nuk është bërë progres i rëndësishëm në bisedimet për Brexit.
May kërkon të qartësojë planet e saj përpara samitit të liderëve të Bashkimit Europian në Qershor dhe të arrijë një dakordësi mbi marrëdhënien e re me bllokun në Tetor, apo 6 muaj përpara Brexit.
Paundi britanik u rrit lehtë kundër dollarit amerikan dhe euros, pas lajmërimit se Britania do të qëndrojë në unionin doganor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.