Nën përgjim, edhe Presidenti Macron / Maroku mund t’a ketë përdorur programin e kompanisë izraelite, NSO
Telefoni i Presidentit francez, Emmanuel Macron, ka qenë subjekt i një përgjimi të mundshëm, për llogari të Marokut në projektin Pegasus të spiunimit. Një investigim i publikuar këtë javë nga 17 organizata mediatike, i udhëhequr nga grupi jofitimprurës i gazetarisë Forbidden Stories, me bazë në Paris, shkruante se ky program spiunimi (spyware), i krijuar dhe i licencuar nga kompania izraelite NSO, ishte përdorur për të hakuar me sukses telefonat që i përkisnin gazetarëve, zyrtarëve të qeverive dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. Por, si u krijua ky program spiunimi? Në kulmin e krizës së pandemisë së koronavirusit, Naftali Bennett, në atë kohë ministër i mbrojtjes në Izrael, hodhi idenë për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së Covid-19 duke i dhënë të drejtë kompanisë NSO, që prodhon programe spiunimin për ushtrinë, të gjurmojë çdo lëvizje të bashkëqytetarëve të tij. Propozimi nga njeriu që aktualisht është kryeministër i Izraelit nuk mori mbështetje të gjerë, madje shkaktoi reagime nga aktivistët e të drejtave të njeriut. Mediat e huaja raportuan se programi u është shitur qeverive autoritare duke filluar nga Azarbajxhani apo Hungaria, e deri në Monako, nga kompania izraelite NSO. Softueri, i njohur si Pegasus, infekton telefonat dhe lejon operatorët të spiunojnë objektivat e tyre. Akuzat lidhur me programin e njohur si “Pegasus”, u raportuan nga Uashington Post, The Guardian, Le Monde dhe 14 media të tjera prestigjioze përreth botës. Sipas tyre virusi infektonte pajisjet iPhone dhe Android duke u mundësuar operatorëve të kopjojnë mesazhe, fotografi, emaile, regjistruar telefonata dhe aktivizuar mikrofonët në mënyrë sekrete.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.