Nënshkruhet marrëveshja – Profesionistët e sektorit publik e privat mundësi praktike profesionale në SHBA
Rreth 90-100 profesionistët e sektorit publik dhe të atij privat do të mund të ndjekin një praktikë profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja e Mirëkuptimit është nënshkruar sot nga zëvendëskryeministrja, Sendia Mesi dhe bashkëdrejtorët e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata dhe Alekasndër Sarapuli.
Përmes këtij programi, “Komponenti i Praktikës Profesionale” profesionistët shqiptarë do të përfitojnë 6 muaj eksperiencë të mirëfilltë pune dhe praktike profesionale në kompani dhe institucione në SHBA.
Programi i cili përshtatet me nevojat për rritje profesionale të profesionistëve është zhvilluar në bashkëpunim me agjencinë e akredituar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, Council on International Educational Exchange (CIEE).
Projekti është 5-vjeçar dhe ka për qëllim sigurimin e bursave për profesionistët e përzgjedhur. Janë tre shtylla mbi të cilat do të mbështet programi:
Praktikë profesionale, trajnim dhe mentorim në një institucion pritës në SHBA
Të përzgjedhurve të programit u jepet mundësia të ndjekin një trajnim shtesë për të plotësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në një fushë të caktuar (nga ana teorike), krahas punës në institucionin pritës
Mentorim në momentin e kthimit për të lehtësuar zbatimin e aftësive të reja dhe njohurive të përfituara gjatë periudhës së praktikës profesionale.
Parakushti për implementimin e këtij programi me sukses është rikthimi i të përzgjedhurve në të njëjtin pozicion pune. Thirrja për aplikime do të hapet më 16 prill, pas implementimit të një projekti pilot.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë iniciativash për rritjen e kapaciteteve të nëpunësve civilë dhe punonjësve të administratës publike në Shqipëri.
Në këtë kuadër edhe AADF ka krijuar dhe po implementon “Master & Internship Program”, i cili do të mundësojë rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të rinj, pjesë të sektorit publik edhe privat.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.