Nënshkruhet marrëveshja – Si do të transformohet Piramida, projekti ndahet në dy faza
Piramida shumë shpejtë do të transformohet në një qendër multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar kryesisht në arsimimin digjital, artin dhe kulturën. Për shndërrimin e saj Bashkia e Tiranës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF).
“Hedhim hapin e parë zyrtar për formalizimin e një marrëveshje midis Bashkisë Tiranës dhe AADF për të transformuar Piramidën e Tiranës, ndërtesën më ikonike të qytetit tonë, në qendrën më të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimimin digjital, në kulturën e teknologjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës dhe kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore”, theksoi Veliaj.
Veliaj sqaroi se projekti është i ndarë në dy faza: së pari, nis puna për rehabilitimin e godinës dhe së dyti, mirëmenaxhimi i saj, duke qenë se do të mirëpresë deri në 5 mijë të rinj në ditë.
Aktualisht, Bashkia e Tiranës është duke biseduar me disa nga studiot më të mira të arkitektëve dhe brenda Majit do të bëhet edhe prezantimi publik i asaj që do të ndodhë me Piramidën.
Rreth 5 mijë të rinjtë që do të frekuentojnë mjediset e transformuara të Piramidës do të kenë mundësi të ndjekin kurse të ndryshme në fushën e IT dhe të komunikacionit, sikurse është dizajni, programimi etj.
E.Z/SCAN
Projektet për Piramidën ndër vite – Nga idetë më të mira tek ato më të “çmendura” me teleferik, pistë vrapi
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.