Nëse e keni automjetin në emër të pronarit të mëparshëm, nxitoni! Ndryshimi i pronësisë deri me 28 shkurt 2020! Pas 2 marsit, gjoba 10 – 40 000 Lekë
Të gjithë qytetarët/subjektet juridike që disponojnë një akt ndryshimi pronësie mjeti (kontratë shitblerje, faturë tatimore, kontratë dhurimi, dëshmi trashëgimie, etj.) të cilët nuk kanë bërë ndryshimin e pronësisë së mjetit brenda 10 ditëve nga data e hartimit të aktit të tjetërsimit, duhet t’i drejtohen sporteleve të DPSHTRR-së brenda datës 28 Shkurt 2020, pasi nga data 2 Mars 2020 do të fillojë aplikimi i gjobës për tejkalimin e afatit të përcaktuar në ligj!
DPSHTRR ka publikuar një udhëzues të posaçëm që shpjegon procedurat që duhen ndjekur,afatet dhe penalitetet për ata që nuk respektojnë këtë detyrim.
Kujt i drejtohet ky njoftim?
Të gjithë qytetarëve dhe subjekteve juridike të cilët kanë shitur ose blerë një mjet i cili ende figuron në emër të pronarit të vjetër pasi blerësi nuk është paraqitur në sportelet e Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) për ndryshimin e të dhënave të pronësisë në sistem.
Çfarë ndodh në rast se shitësi nuk ka kontakt me blerësin, njëra nga palët ka ndërruar jetë ose ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë?
Nuk është e domosdoshme që në sportel të jetë dhe shitësi dhe blerësi. Procedurën për kalimin e pronësisë mund ta kryejë cilido prej tyre, pa praninë e palës tjetër.
Shitësi mund të paraqitet në sportel me kontratën e shitjes, faturën tatimore, kontratën e dhurimit ose dëshminë e trashëgimisë dhe vijon me ndërrimin e të dhënave në sistem. Tarifa për këtë shërbim është 1 000 Lekë.
Blerësi duhet të paraqitet në sportel me kontratën e shitjes, faturën tatimore, kontratën e dhurimit ose dëshminë e trashëgimisë dhe nis procedurën për regjistrimin e ndyshimit të pronësisë ose të ndryshimeve të tjera në sistem. Më pas vijohet me Identifikimin e treguesve teknik të mjetit (kontrollin fizik), azhurnimin e lejes së qarkullimit dhe certifikatës së pronësisë në emër të blerësit. Tarifa për këto shërbime është 4 500 Lekë (Identifikimi i treguesve teknik të Mjetit – 1 500 Lekë; Leje qarkullimi – 1 000 Lekë; Certifikatë Pronësie – 2 000 Lekë).
Çfarë detyrimesh mbart shitësi pas ndjekjes së kësaj procedure dhe azhurnimit të të dhënave në sistem?
Pas ndjekjes së kësaj procedure shitësi nuk mbart asnjë detyrim që lind pas datës së shitjes së mjetit e cila është e përcaktuar te kontrata e shitjes, fatura tatimore, kontrata e dhurimit, dëshmia e trashëgimisë, etj. Çdo detyrim pas asaj date i takon blerësit i cili është realisht zotëruesi dhe përdoruesi i mjetit i cili qarkullon në rrugë. Tarifa për këtë shërbim është 1 000 Lekë.
Çfarë detyrimesh mbart blerësi nga kalimi i pronësisë?
Blerësi mbart të gjitha detyrimet juridike, civile dhe financiare që lindin nga data e shitjes së mjetit e cila është e përcaktuar te kontrata e shitjes, fatura tatimore, kontrata e dhurimit, dëshmia e trashëgimisë, etj.
Çfarë ndodh pas datës 28 Shkurt 2020?
Pas kësaj date fillon aplikimi i masave administrative gjobë për palën blerëse në zbatim të pikës 3 të Nenit 93 të Kodit Rrugor. Masa administrative varion nga 10 000 – 40 000 Lekë.
Çfarë ndodh nëse është shitur një mjet para shumë vitesh dhe blerësi nuk e ka kthyer pronësinë dhe aktshitja te noteri ka humbur?
Çdo qytetar ose subjekt mund të kërkojë të pajiset me një kopje të kontratës së shitjes pranë zyrës noteriale ku është lidhur kontrata.
Çfarë ndodh nëse mjeti ndalohet për verifikim nga strukturat kontrolluese të ngarkuara me ligj?
Mjeti rezulton në pronësi të shitësit dhe disponohet nga pala blerëse e cila nuk ka bër azhurnimin e dokumentacionit sipas Nenit 93 dhe Nenit 109 të Kodit Rrugor, ndaj zotëruesi i mjetit ndëshkohet me masë administrative gjobë sipas neneve të lartpërmenduara (bazën ligjore e gjeni të pasqyruar më poshtë).
Mundet një person i tretë të paraqitet në sportel për të kryer procedurat në vend të shitësit ose blerësit?
Çdo person i autorizuar nga shitësi ose blerësi dhe i pajisur me prokurë të posaçme mund të paraqitet në sportel për të ndjekur procedurat.
Si mund të verifikohet nëse blerësi ka kryer procedurat e regjistrimit të ndryshimit të pronësisë pranë DRSHTRR-së përkatëse?
Ju mund të aplikoni në formularin e mëposhtëm për verifikimin e statusit të pronësisë se mjetit. Pas aplikimit qëndroni në pritje të përgjigjes me email ku informoheni nëse është kryer kalimi ose jo në sistem.
Ku duhet të drejtohet qytetari/subjekti?
Çdo qytetar ose subjekt i interesuar për ndjekjen e kësaj procedure duhet të paraqitet në Drejtorinë Rajonale përkatëse brenda datës 28 Shkurt 2020.
Si mund të shmangni radhën në sportelet e DRSHTRR-ve?
Rezervoni online takimin në sportel në Drejtoritë Rajonale Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier në linkun: https://www.sporteli.dpshtrr.com/
Ky shërbim fillon të aplikohet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor nga data 15 Janar!
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.