Nesër zhvillohet gara e “Triathlon”-it në Farkë, devijohet qarkullimi i automjeteve në këto segmente
Tirana do të presë për herë të parë një garë “Triathlon”-i, sporti që bashkon tre disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap. Qindra sportistë, profesionistë ose jo, do të garojnë këtë të dielë përgjatë një itinerari të mirëpërcaktuar nga Bashkia e Tiranës, në harmoni me natyrën fantastike të Liqenit të Farkës, duke promovuar njëkohësisht edhe vlerat turistike të kësaj zone.
Aktivitete të kësaj natyre, sipas kryebashkiakut Veliaj, po promovojnë çdo ditë e më shumë Tiranën dhe se qyteti po bie në sy si një destinacion fantastik në Ballkan.
“Pas organizimit të Maratonës së Tiranës për dy vjet radhazi dhe koncerteve të Rita Orës dhe Ermal Metës, nuk ka më dyshime se çfarë sjellin për qytetin tonë këto aktivitete; sjellin turizëm, promovim, ngrejnë emrin e qytetit, na fusin në harta të rëndësishme turistike dhe përmendemi në revista të tilla si Lonely Planet. Pra, të gjitha këto janë të lidhura, janë pjesë e një strategjie të madhe ku sa më shumë aktivitete të ndodhin në Tiranë, aq më shumë Tirana përmendet si destinacion turistik për Ballkanin”, tha Veliaj.
Veliaj deklaroi se këto aktivitete nxisin edhe turizmin në zonat periferike të qytetit, por i japin edhe një impuls pozitiv ekonomisë së qytetit.
“Ambicia jonë është që zona rurale e Tiranës të marrë po aq vëmendje sa ka marrë edhe zona qendrore e Tiranës. Pra, filluam nga qendra, nga zonat urbane, kurse tani po shkojmë te zona rurale më e afërt. Një zonë që tashmë po ka investime në agrobiznes, ka disa ferma, disa bujtina të tipit Bed&Breakfast. Na duhet që në mënyrë periodike të bëjmë aktivitete masive me karakter sportiv. Vitin e kaluar në Tiranë, vetëm nga Maratona kishim 3 mijë shtretër hotelesh, nga 3 vakte që ka ngrënë secili të paktën në 48 orë, janë 9 mijë vakte; e gjitha kjo është një ekonomi zinxhir që zhvillohet prej këtyre aktiviteteve”.
Devijimi i qarkullimit të automjeteve
Për mbarëvajtjen e garës, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, kanë marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në datën 10 Qershor nga ora 08:30 deri në orën 13:00 nga segmentet e mëposhtme:
- Rruga e “Tuneleve”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Tuneleve” me rrugën “Daxhit”, deri tek kryqëzimi rruga “Tuneleve” me rrugën e “Panorama Liqenit”;
- Rruga “Daxhit”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Daxhit” me rrugën “Shaqir Palushi”, deri tek kryqëzimi rruga “Daxhit” me rrugën “Vrapeve”;
- Rruga “Diga e Liqenit”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Panorama e Liqenit” me rrugën “Diga e Liqenit”, deri tek kryqëzimi rruga “Daxhit” me rrugën “Diga e Liqenit”;
- Rruga “Panorama e Liqenit”, duke filluar nga kryqëzimi rruga “Tuneleve” me rrugën “Panorama e Liqenit”, deri tek kryqëzimi “Panorama e Liqenit” me rrugën “Diga e Liqenit”.
Për këto rrugë, qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Vrapëve”, “Elbasanit”, “Dr. Shefqet Ndroqi”, “Pjetër Budi”, “Selman Bulku” dhe “Dëshmorët e Helikopterëve”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.