“Netët e Muzeut” – Banka e Shqipërisë nis cikël leksionesh
Në fillim të kësaj jave, Banka e Shqipërisë çeli ciklin me leksione “Netët e Muzeut”. Nisja e këtij cikli përkoi me dyvjetorin e hapjes së Muzeut të Bankës Qendrore dhe njëkohësisht me përvjetorin e 79- të inaugurimit të ndërtesës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Qëllimi i “Netëve të Muzeut” është bashkërendimi i njohurive mbi monedhën në ekspozitën e Muzeut të Bankës së Shqipërisë me informacionin e gjendur në arkiva, biblioteka dhe koleksione private.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, theksoi se Muzeu e bën Bankën një institucion më të hapur e më të afërt për publikun.
“Synojmë që Muzeu i Bankës së Shqipërisë, të mos jetë vetëm një vend ku vihet për të shijuar një ekspozitë, por edhe një vend ku mund të shkëmbehen mendime e ide.”
Leksionin e parë e mbajti koleksionisti Artan Lame, që foli për monetimin në Shqipëri gjatë Periudhës Osmane.
Cikli “Netët e Muzeut” do të vijojë të zhvillohet gjatë muajve të mbetur të vitit 2017, por edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.