Nga deficiti tek emigracioni, çfarë ndryshon në Europë me qeverinë ‘Conte2’?
Roberto Gualtieri ka lënë Brukselin pas një dekade shërbimi si euro-parlamentar i Partisë Demokratike. Ama e gjithë kjo të lë të kuptosh se do të ketë shance që të rikthehet me një frekuencë të vazhdueshme: historiani dhe politologu roman, i vitit 1966, sapo është emëruar Ministër i Ekonomisë në qeverinë e re 5 yje-PD të drejtuar sërish nga Giuseppe Conte. I njëjti kryeministër që pak kohë më parë ishte në krye të një ekzekutivi të përbërë nga lëvizja 5yje-Lega Nord, një prej më turbulluesve në historinë e raporteve me samitet e komunitetit. Zgjedhja e Gualtierit, figurë e vlerësuar në Bruksel për kompetencat në fushën ekonomike e fiskale, simbolizon një ndryshim hapi nga ana e mazhorancës së re.
Jo shumë për Partinë Demokratike, që në teori përherë ka mbajtur linjën europeiste sesa për komponentin 5yjesh të qeverisë dhe raportet e përgjithshme të ekzekutivit me Europën, që shpesh herë e kanë çuar Romën zyrtare drejt një shkëputje totale me partnerët e Bashkimit Europian. Ministrat e ‘Conte 2” do të duhet të kenë më shumë marzh manovre në pamje të ligjit të stabilitetit që do të duhet të aprovohet nga Brukseli në javët e ardhshme, edhe në rast të një shpejtimi mbi investimet dhe shpenzimet publike.
Conte ka marrë përkrahje të gjerë në samitet ndërkombëtare, përfshirë atë të një kundërshtari historik të ish “qeverisë së ndryshimit”, ish-numri një i Komisionit, Jean-Claude Juncker. “Falë udhëheqjes së tij dhe mbështetjes së qeverisë së tij, shkroi Juncker në letrën e tij zyrtare, Jam i bindur që Italia do të jetë në gjendje të luajë një rol thelbësor në përballjen e këtyre sfidave europiane dhe të përmbushë përgjegjësitë e saj si një shtet themelues i Bashkimit.
Pritja që iu dha qeverisë PD-Pesë yje portretizon një klimë shumë të ndryshme nga ajo që shoqëroi ekzekutivin tjetër Conte, e cila u mbyt me krizën e shkaktuar nga Salvini në 8 gusht. Përtej Juncker, pothuajse i detyruar për një përshëndetje institucionale, shenjat të përkrahjes erdhën edhe nga komisionerët që konsideroheshin armiqësor (duke filluar nga titullari i çështjeve Monetare, Pierre Moscovici) dhe madje edhe figura më të shquara në hierarkitë e komunitetit. Presidentja e ardhshme e BQE, Christine Lagarde, e ka quajtur “lajm të mirë” zgjedhjen e Gualtieri në Ministrinë e Ekonomisë. Paraardhësi i tij, Giovanni Tria, me gjithë pakicën në lidhje me partitë qeverisëse, kaloi një pjesë të mirë të takimeve me kolegët e tij europianë për të prishur tensionet që u krijuan midis qeverisë së verdhë-jeshile dhe krerëve të BE-së.
Gualtieri është mësuar të negociojë pas 10 vjetësh në Parlamentin Europian, shpesh me një rol vendimtar në çështjet ekonomike. Në mandatin e fundit parlamentar ai ishte president i Komisionit për çështjet Ekonomike dhe Monetare, duke u rizgjedhur në vitin 2019. Ai tani do të jetë në gjendje të merret direkt si ministër, në teori me një qëndrim më të përshtatshëm nga ana e homologëve europianë. Pengesa e parë do të jetë manovra, me të gjitha nyjat e saja në pritje: nga ngrirja e rritjes së TVSH-së deri në rritjen e shpenzimeve publike të shpallura, në linjat programatike, nga ekzekutivi i ri.
I njëjti ndryshim drejtimi, nga përplasja në dialog, mund të regjistrohet edhe në frontin tjetër të nxehtë të legjislaturës së re të Komunitetit: emigracionin, duke filluar nga reforma e rregullores së Dublinit (institucioni që rregullon menaxhimin e mbërritjeve, e cila konsiderohet e pafavorshme për vendet ku bëhen zbarkimet e para sepse kërkon marrjen e përgjegjësisë së kërkesës për azil). (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.