Nga faturimi te tarifat e reja- Zbardhet rezoluta e Kuvendit me 18 rekomandime për furnizimin me ujë në vend
Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka zhvilluar seancën e raportimkit vjetor të punës së Entit Rregullator të Ujit ku për vitin 2016 rezulton janë shënuar disa arritje në aspektin e uljes së nivelit të humbjeve apo të rritjes së performancës financiare të ndërmarrjeve të ujësjellësit në vend, por që sërish situata mbetet problematike.
Pas seancës, komisioni ka hartuar edhe një rezolutë që do të kalojë për miratim Kuvendit, ku Entit i kërkohet që të marrë masa për të shqyrtuar në kohë propozimet për rishikimin e tarifave, për licencimin e operatorëve, për uljen e faturimit aforfe apo për krijimin e sistemit dixhital qendror me të dhëna që raportohen nga shoqëritë UK.
Për vitin 2017, Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese rekomandon:
1- Të marrë masat e nevojshme për përballimin në kohë dhe me cilësi të shqyrtimit të propozimeve nga shoqëritë UK për rishikimin e tarifave, në kuadër të zbatimit të VKM nr. 63, datë 27.01.2016, si dhe të tregohet efikase dhe e kujdesshme në politikën e miratimit të tarifave, duke e parë atë të lidhur ngushtë me rritjen e performancës së operatorëve, uljes së shpenzimeve, rritjen e efikasitetit menaxhues dhe përmirësimin e shërbimit ndaj konsumatorit.
2- Të marrë masat e nevojshme për licencimin brenda vitit 2017 të të gjithë operatorëve UK që paraqiten pranë ERRU-së për licencim në kuadër të përfundimit të procesit të riorganizimit të shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizime në zbatim të VKM nr 63, datë 27.01.2016, si dhe monitorimi i kushteve të licencës.
3- Të vijojë të nxisë të gjitha shoqëritë që të vazhdojnë me procesin e inventarizimit në zbatim të ristrukturimit të sektorit UK në kuadër të reformës territoriale, për të vijuar më tej me licencimin dhe miratimin e tarifave në përmbushje dhe të kërkesave ligjore.
4- Të vijojë përpjekjet në mbrojtje të konsumatorëve dhe zgjidhjes së ankesave të tyre, pavarësisht rolit ndërmjetës që ka me dispozitat në fuqi dhe vonesës së ndryshimeve të pritshme ligjore.
5- Të thellojë bashkëpunim me të gjithë aktorët për të bërë një vlerësim sa më real dhe objektiv të përballueshmërisë së tarifave dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për mbrojtjen e konsumatorëve me të ardhura të ulëta dhe njëkohësisht funksionimin e operatorëve në mënyrë të qëndrueshme.
6- Të vijojë kontributin e saj për hartimin sa më parë të ligjit të ri, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Furnizimit me ujë dhe kanalizime dhe direktivat e BE-së për institucionet e pavarura, ligji, ndër të tjera, synon rritjen e rolit të ERRU-së në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit vecanërisht në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve si dhe rritjen e pavarësisë së institucionit të ERRU-së.
7- Të marrë masat e nevojshme për implementimin e strukturës së re të ERRU, miratuar me vendim të Kuvendit të Shqipërisë nr.34, datë 28.04.2016, duke e parë të lidhur ngushtë me rritjen e profesionalizmit dhe të pavarësisë operacionale të rregullatorit si dhe në përmbushje të sfidave që ERRU ka përballë reformes territoriale.
8- Përmes të gjithë instrumenteve ligjore që disponon, të kërkojë nga shoqëritë UK që të kenë prioritet të punës së tyre uljen e nivelit te humbjeve i cili vijon te mbetet 67% nivel i cili është tepër i lartë dhe përbën një shqetësim kryesor për sektorin UK; evidentimi, eliminimi apo legalizimin e lidhjeve të paligjshme, me qëllim uljen e humbjeve në rrjet dhe uljen e ujit pa të ardhura, ndikojnë drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë financiare të shoqërive UK.
9- Të vijojë nxitjen e shoqërive UK në instalimin e ujëmatësve të mëdhenj në të gjithë pikat kyçe të sistemeve të furnizimit me ujë, për të bërë të mundur hartimin e bilanceve të sakta të ujit, të cilat japin mundësinë e përcaktimit real të vlerës së Ujit Pa të Ardhura (humbjet administrative dhe teknike) si dhe përcaktimin e rrugëve dhe planeve të veprimit për zvogëlimin e tyre.
10- Të vijojë nxitjen dhe monitorimin e vendosjes së matësve për konsumatorët nga shoqëritë UK, si një proces plotësisht i arritshëm nga shoqëritë UK i cili do të ndikonte drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të lartë të faturimit aforfe për konsumatorët si dhe në uljen e nivelit të shpërdorimit të ujit.
11- Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve, përmes instrumenteve dhe strategjive rregulluese të nxisë shoqëritë UK në rritjen e vazhdimësisë së shërbimit dhe cilësinë e ujit të pijshëm. Mungesa e furnizimit të vazhdueshëm dhe tendenca negative e këtij treguesi vijon të mbetet problem shqetësues, duke ndikuar edhe në cilësinë e ujit.
12- Duke pasur parasysh që analiza e humbjeve bazuar në “Bilancin e Ujit” tregon humbjet menaxheriale të ujit janë nё nivele pothuajse tё njëjta me ato teknike, nëpërmjet instrumenteve dhe strategjive rregulluese të kërkojë nga shoqëritë UK një menaxhim më të mirë të shërbimit të furnizimit me ujë.
13- Të vendosë objektiva individualë për secilën nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, për të nxitur përmirësimin e mëtejshëm të efiçencës operacionale dhe gjatë procesit të miratimit të tarifave të kërkojë nga shoqëritë argumentim të plotë mbi numrin e punonjësve dhe pozicionet e tyre të punës në strukturën organizative të shoqërisë.
14- Të vijojë punën për monitorimin i rezultateve nëpërmjet verifikimit të të dhënave, në veçanti i të dhënave që lidhen me treguesit kryesorë të performancës, pasi saktësia e të dhënave luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e tarifave.
15- Të marrë masat e nevojshme dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës të përgatisë aktet nënligjore në mënyrë që shoqëritë UK të hartojnë Planin e Biznesit 5 Vjeçar si një instrument i domosdoshëm i aplikimit për tarifa të reja, dhe në të njëjtën kohë si një instrument vlerësimi nga ERRU.
16- Në bashkëpunim me AKUK të krijojë një sistem digjital qendror raportimi, me të dhëna që raportohen “on line” nga shoqëritë e UK, dhe këto të dhëna të jenë disponibël në web.
17- Të intensifikojë kontaktet me bashkitë, shoqëritë UK si dhe bashkëpunimin me AKUK dhe gjithë aktorët në sektor për identifikimin e pengesave në realizimin e reformës në sektor për të bërë të mundur kapërcimin e tyre dhe ecjen graduale drejt një sektori ujësjellës kanalizimesh të pavarur financiarisht që mbulon shpenzimet dhe ofron shërbime me cilësi të mirë dhe të përballueshme nga konsumatorët.
18- Të jetë një pjesëmarrës aktiv dhe të japë kontribut konkret në përmirësimin e infrastrukturës ligjore në drejtim të përmbushjes së kushteve të Direktivës Evropiane për sektorin e Ujit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.