Ngadalësimi i ekonomisë britanike – Nuk ndikon vetëm moti, bien investimet e bizneseve dhe konsumi
Rënia e investimeve nga bizneset dhe shpenzimet e dobëta konsumatore, sollën një nisje negative për ekonominë Britanikë në vitin 2018. Pavarësisht dyshimeve të Bankës së Anglisë, zyra e Statistikave në Londër raportoi se vetëm moti i keq nuk mund të shpjegojë rritjen e dobët me 0.1% të Britanisë në tremujorin e parë. Zyra e Statistikave bëri të ditur se sheh një strukturë më të gjatë të ngadalësimit të ekonomisë.
Investimet e Bizneseve ranë me 0.2% gjatë tremujorit, që është performanca më e keqe që prej mesit të 2015-ës. Tregtia neto nuk kontribuoi ndaj rritjes ekonomike ndërsa shpenzimet konsumatore u rritën me vetëm 0.2%, që është performanca më e dobët në 4 vite. Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, ka thënë se investimet e bizneseve në Britani duhet të rriteshin shumë më shpejtë, duke marrë parasysh rimëkëmbjen e ekonomisë globale, por që po kufizohen nga pasiguria në lidhje me Brexit.
Rritja ekonomike e Britanisë ka rënë poshtë normës së ekonomive të tjera të mëdha gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që rritja e inflacionit nga rënia e paundit, tkurri buxhetin e konsumatorëve. Ekonomia britanike u rrit me vetëm 1.2% në tremujorin e parë me bazë vjetore. Vetëm Japonia ka patur performancë më të dobët në Grupin e Shtatë vendeve më të pasuria që kanë raportuar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.