Ngadalësimi i ekonomisë europiane – Konfirmon Eurostat. Tregtia, investimet dhe konsumi japin nxitje
Eksportet neto, investimet dhe konsumi, kanë nxitur rritjen ekonomike në Eurozonë në tremujorin e fundit 2018, duke kompensuar për rënien e madhe në inventarë. Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurstat, konfirmoi vlerësimin fillestare të rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto në 19 vendet e Eurozonës me 0.2% në periudhën Tetor-Dhjetor.
Agjencia rishikoi në rënie normën vjetore më 1.1% për tremujorin e katërt, nga 1.2% që vlerësoi në muajin Shkurt. Shifrat e Eurostat, konfirmojnë ngadalësimin e ekonomisë së Eurozonës, krahasuar me rritjen më të fortë në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit të kaluar. Kjo pritet të ndikojë te vendimarrja e Bankës Qendrore Europiane, që vendosi të ndalojë programin e stimujve monetar në fund të 2018-ës.
Eurostat bëri të ditur se konsumi i familjeve dhe Qeverisë shtoi 0.l% në shifrën përfundimtare të rritjes. Investimet shtuan 0.1%, ndërsa tregtia neto dha 0.2% kontribut, duke kompensuar rënien me 0.4% të inventarëve. Të dhëna të tjera treguan se punësimi në Eurozonë u rrit me 0.3% në tremujorin e fundit dhe me 1.3% me bazë vjetore.
Numri më i madh i vendeve të punës u krijua në sektorin e ndërtimit dhe në shërbimet e informacionit e telekomunikacionit, ndërsa rënia më e madhe rezultoi në bujqësi dhe në aktivitetet financiare dhe të sigurimeve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.