Ngadalësimi ka arritur fundin – Goldman parashikon një rimëkëmbje të ekonomisë globale
Banka amerikane e investimeve, Goldman Sachs, parashikon se ngadalësimi i economise globale mund të ketë arritur fundit. Ndërkohë që rritja vijon të jetë e brishtë, treguesi i Goldman për aktivitetin ekonomik rezultoi pak më lart gjatë shkurtit, krahasuar me dhjetorin dhe janarin.
“Disa shenja pozitive po shihen në horizont, që sugjerojnë se, rritja ekonomike do të rifillojë nga këtu”, thuhet në një shënim të Goldman për klientët e saj. Megjithatë, rreziqet janë prezente dhe për këtë arsye, banka parashikon një rritje ekonomike globale prej 3.5%, gjatë këtij viti. Përsa i përket tregjeve të aksioneve, Goldman parashikon se situata është pozitive në asetet me risk, ndërsa pritet një rritje e yield-eve të obligacioneve.
Në anën tjetër, dollari amerikan dollari mund të gjendet nën presion, ndërsa çmimet e naftës mund të kenë një tendencë në rritje gjatë 3 muajve të ardhshëm. Gjithashtu, Goldman shikon shenja të rritjes ekonomike edhe në Kinë, që është ngadalësuar ndjeshëm vitin e kaluar. Edhe të dhënat e publikuara në Kinë, sugjerojnë një rimëkëmbje. Megjithatë, disa ekzekutivë të bankave më të mëdha në botë bëjnë thirrje për kujdes. Jamie Dimon, Shef Ekzekutiv i JPMorgan Chase, shfrytëzoi prezantimin e raportit vjetor të bankës ndaj investitorëve, për tu njohur me një numër në rritje të rreziqeve për ekonominë, pavarësisht se banka e tij realizoi fitime rekord gjatë vitit të kaluar.
“Ne jemi të përgatitur për një recession”, deklaroi Dimon. “Nuk po parashikojmë një recession. Thjesht po theksojmë se jemi shumë të vetëdijshëm për rreziqet që mbartim”, vijoi ai. Ndërkohë, Goldman Sachs vlerëson se Europë është rajoni më i dobët, me Italinë në recesion, Gjermaninë shumë pranë, dhe me shumicën e ekonomive të tjera që po rriten me një hap shumë të ngadaltë. Për këtë arsye, banka amerikane shtyu sërish parashikimin për një rritje të normave të interesit nga BQE, në mes të vitit 2020 nga mesi i vitit 2019, që ishte vlerësimi i mëparshëm. Gjithashtu, edhe mundësitë që Rezerva Federale të rrisë normat e interesit në 6-9 muajt e ardhshëm janë ulur ndjeshëm.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.