Ngadalësohet biznesi në Eurozonë – Të dhënat nuk zbehin projeksionet e rritjes ekonomike
Aktiviteti i biznesit në Eurozonë, në mënyrë të papritur ka ngadalësuar hapin në fund të këtij gjashtë mujori.
Ngadalësimi udhëhiqet nga sektori i shërbimeve, që është më i madhi në Eurozonë, duke zënë dy të tretat e ekonomisë totale.
Indeksi PMI i Markit, që është një ndër matësit më real të aktivitetit ekonomik, fiksohet në 55.7 pikë gjatë Qershorit, në rënie nga niveli i 56.8 pikëve që ishte në muajin Maj dhe Prill. Asokohe, ky ishte niveli më i lartë që prej vitit 2011.
Gjithsesi, këto të dhëna nuk pritet të ndikojnë në vendimin e Bankës Qendrore Europiane për të normalizuar politikat monetare herët a vonë.
Të dhënat e indeksit PMI për Qershorin rezultojnë gjithashtu nën pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Këto janë të dhënat e para në harkun e disa muajve që nuk flasin me tone optimiste.
Eurozona ka hyrë në vrullin më të madh ekonomik të dekadës së fundit, e këto të dhëna nuk e zhbëjnë këtë fakt.
“Për momentin nuk jemi të zhgënjyer”, shprehen ekspertët.
Pavarësisht rezultatit të Qershorit, indeksi PMI vijon të sinjalizojë një rritje të ekonomisë së rajonit prej 0.7% gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.