Ngadalësohet ekonomia amerikane – Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë T2 rritet nën pritshmëritë, “zbehen” projeksionet vjetore
Ekonomia më e madhe në botë u rrit me një hap nën vlerësimet paraprake gjatë tremujorit të dytë të vitit, thonë të dhënat më të fundit nga departamenti i tregtisë.
Kështu, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë periudhës Prill-Qershor rezulton të ketë qenë në 2%, nga 2.1% që vlerësohej më parë, thonë shifrat zyrtare.
Zgjerimi i ekonomisë numër një të globit është nën kërcënim, si pasojë e shqetësimeve që lidhen me përplasjet tregtare dhe politikat tregtare të presidentit Trump, si dhe me zhbërjen e efektit të uljes së taksave.
Uljet drastike të taksave nga administrata Trump kanë dështuar të stimulojë ekonominë, thonë analistët dhe ekspertët e ekonomisë në vend.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto fiksohej në 3.1%.
Për të gjithë vitin në tërësi, të dhënat e dy tremujorëve të parë sinjalizojnë një rritje ekonomike pranë 2.5%, që është ndjeshëm nën nivelin e objektivit të paracaktuar, për një rritje ekonomike pranë 3%.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.