Ngadalësohet ekonomia gjermane – Bie aktiviteti i biznesit, frikë edhe për luftën tregtare
Morali i biznesit në Gjermani ka prekur nivelin më të ulët në më shumë se 1 vit, tregojnë të dhënat më të fundit që vijnë nga ekonomia më e madhe e Europës. Të dhënat flasin kështu për një ngadalësim të ekonomisë gjermane në prag të një lufte tregtare që po projektohet e pamëshirshme. Kështu, të dhënat e institutit Ifo tregojnë se, në të katër sektorët e ekonomisë gjermane, aktiviteti ka pësuar rënie.
Indeksi i klimës së biznesit ra në 101.8 pikë, që është niveli më i ulët që prej Majit të 2017-ës. Pritshmëritë ndërkohë flisnin për një lexim disi më të ulët. Ekonomistët dhe ekspertët e përjashtojnë kategorikisht mundësinë e një recesioni dhe projektojnë një rritje ekonomike pavarësisht ngadalësimit të hapit në krahasim me vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, ekonomia gjermane u rrit me një hap prej 2.5%, ndërkohë që këtë vit nuk pritet t`i kalojë 2.3%. Sipërmarrësit gjermanë janë të shqetësuar së tepërmi edhe për luftën tregtare, gjë që mund të ndikojë eksportuesit. Raporti i Ifo arrin në përfundimin se, bumi ka marrë fund dhe se ekonomia gjermane po shkon drejt normalizimit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.