Ngadalësohet ekonomia gjermane – Rritet me 0.3% në tremujorin e parë, ndikon tregtia e dobët
Rritja e ekonomisë gjermane është përgjysmuar në tremujorin e parë të këtij viti, për shkak të tregtisë së dobët dhe shpenzimeve të ulëta shtetërore. Ekonomia më e madhe e Europës u rrit me vetëm 0.3% në tremujorin e parë, që është norma më e ngadaltë që prej tremujorit të tretë 2016, sipas të dhënave paraprake të zyrës Federale të Statistikave.
Shifra është poshtë projeksioneve të analistëve prej 0.4% dhe rritjes me 0.6% në tremujorin e fundit të 2017-ës. Megjithatë, shënoi tremujorin e 15 radhazi të rritjes, që është periudha më e gjatë e pandërprerë që prej riunifikimit të Gjermanisë.
Sipas analistëve, treguesi është vetëm i përkohshëm, për shkak se kërkesa nga jashtë qëndron e fortë dhe punësimi në nivel rekord e rritja e pagave, pritet të nxisin edhe aktivitetin brenda vendit.
Zyra e Statistikave deklaroi se kontributi pozitiv në tremujorin e parë erdhi nga kërkesa e brendshme, ndërkohë që tregtia rezultoi e dobët.
“Investimet u rritën ndjeshëm, kryesisht në ndërtim dhe pajisje. Shpenzimet e ekonomive familjare u rritën ndërsa ato shtetërore ranë”, deklaroi zyra e Statistikave.
Me bazë vjetore, ekonomia u rrit me 2.3% në tremujorin e parë, poshtë projeksioneve prej 2.4%.
Statisticienët konfirmuan edhe rritjen për vitin e plotë 2017 në 2.5%, që është norma më i lartë në 7 vite. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e lidhi ngadalësimin me numrin e lartë të grevave dhe sezonit më të gjatë të pushimeve.
Qeveria ka bërë gjithashtu të ditur se ekonomia do të rimëkëmbet në tremujorin e dytë, për shkak të porosive të mëdha të kompanive dhe punësimit në nivel rekord.
Paralelisht, Eurostat ka publikuar edhe të dhënat për të gjithë Eurozonën, ku rritja e Produktit të Brendshëm Bruto u konfirmua në 0.4% në tremujorin e parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.