Ngadalësohet industria e Eurozonës – Bie prodhimi gjatë dhjetorit, vë në rrezik rritjen ekonomike
Prodhimi industrial në Eurozonë ka pësuar një rënie më të madhe nga sa pritej gjatë muajit dhjetor. Sipas Zyrës së statistikave të Bashkimit Europian, Eurostat, prodhimi industrial në 19 vendet që ndajnë euron u ul me 0.9% në dhjetor nga muaji i kaluar dhe me 4.2% me bazë vjetore.
Kjo ka tejkaluar edhe pritshmëritë e ekonomistëve, të cilët përmes një ankete Reuters kishin parashikuar një rënie mujore prej 0.4 % dhe një rënie vjetore prej 3.2%.
Sipas Reuters, rënia e prodhimit industrial dhe rënia e prodhimit të mallrave kapitale me 1.5% gjatë dhjetorit, nënkuptojnë një ngadalësim të rritjes ekonomike të eurozonës. Sa i takon kësaj të fundit, Komisioni Europian pret që rrija të ngadalësohet në 1.3% gjatë 2019-ës, nga 1.9% që ishte në 2018-ën.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.