Ngadalësohet industria e Eurozonës – Prodhimi bie ndjeshëm në Gjermani dhe Itali
Prodhimi i fabrikave në Eurozonë ra gjatë Korrikut për të dytin muaj radhazi, gjë që tregon për një ngadalësim të ekonomisë në tremujorin e tretë. Rënia u shkaktua kryesisht nga të dhënat e dobëta të Gjermanisë, ekonomisë më të madhe të Europës, si dhe Italisë, që ka pasur trazira në lidhje me planet e shpenzimeve të Qeverisë së re.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, deklaroi se prodhimi industrial në 19 vendet e valutës së përbashkët ra me 0.8% në Korrik nga muaji i kaluar. Eurostat rishikoi gjithashtu të dhënat për Qershorin, ku u regjistrua një rënie me 0.8% , më e madhe se vlerësimi fillestar prej 0.7%. Gjermania dhe Italia, ekonomia e parë dhe e tretë më e madhe, regjistruan një rënie me 1.8% secila në Korrik.
Franca nga ana tjetër, pati rritje të industrisë me 0.7%, që është ekonomia e dytë më e madhe. Shqetësimet e tregjeve për Italinë janë larguar në 10 ditët e fundit, pasi Qeveria bëri të ditur se do të angazhohet për të ulur borxhin e madh publik dhe mbajtur deficitin buxhetor nën kontroll për vitin e ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.