Ngadalësohet inflacioni në Eurozonë – Bie në 1.3% gjatë Janarit, papunësia në nivelin më të ulët në 9 vite
Inflacioni në Eurozonë është ngadalësuar gjatë muajit Janar, ndërsa treguesi bazë është rritur lehtë, si ç’pritej gjerësisht nga analistët. Sipas të dhënave të Eurostat, indeksi i çmimeve të konsumit në zonën e valutës së përbashkët u ngadalësua në 1.3% nga 1.4% që ishte në Dhjetor. Kjo rënie erdhi kryesisht prej çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të papërpunuara.
Çmimet e energjisë janë rritur me 2.1% në Janar, krahasuar me 2.9% rritje gjatë Dhjetorit, ndërsa çmimet e ushqimeve janë rritur me 1%, krahasuar me 1.9% një muaj më parë. Duke hequr këto dy komponent të luhatur dhe dalë te treguesi bazë që monitorohet nga BQE, niveli i çmimeve u rrit me 1.2%, nga 1.1% që ishte në Dhjetor dhe sipër projeksioneve për një ngadalësim në 1%.
Eurostat ka publikuar edhe të dhënat mbi papunësinë në Eurozonë, për Dhjetorin. Gjatë muajit, papunësia u regjistrua në 8.7%, e pandryshuar nga Nëntori, por në rënie nga Dhjetori 2016, ku norma shënoi 9.7%. Ky është niveli më i ulët që prej Janarit 2009. Ndër vendet anëtare, norma më e ulët u regjistrua në Republikën Çeke, në 2.3%, ndejkur nga Malta dhe Gjermania, me 3.6% secila. Normën më të lartë vazhdon ta mbajë Greqia me 20.7%, ndjekur nga Spanja me 16.4%, sipas Eurostat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.