Ngadalësohet Italia – Bie rritja ekonomike, eksportet “godasin” shifrën
Një tjetër lajm i keq vjen për ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës, pas njoftimit të agjencisë së vlerësimit `Fitch`.
Ekonomia e Italisë rezulton të ketë ngadalësuar hapin e rritjes përgjatë tremujorit të dytë të vitit. Gjatë kësaj periudhe kohore, ekonomia Italiane vlerësohet të jetë rritur me vetëm 0.2%, kundrejt 0.3% të dy tremujorëve paraardhës dhe kundrejt 0.4% në gjysmën e vitit të kaluar.
Me bazë vjetore ndërkohë shifra duket disi më optimiste, pasi flet për një rritje prej 1.2%, një rishikim ky në territor pozitiv i vlerësimeve paraprake.
Për qeverinë italiane këto shifra nuk janë aspak inkurajuese, pasi synon numra në 2% ose 3% rritje ekonomike. Ngadalësimi i ekonomisë italiane vjen kryesisht falë rënies së eksporteve.
Gjatë periudhës Prill-Qershor, shitjet jashtë të produkteve “Made in Italy” kanë pësuar një rënie me 0.2%, duke i dhënë një goditje të rëndë ekonomisë italiane, të varur nga eksportet.
Gjatë së njëjtës periudhë kohore, importet janë rritur me 1.8%, thonë shifrat zyrtare. Konsumi privat ndërkohë është rritur me vetëm 0.1%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.