Ngadalësohet rritja për Ballkanin Perëndimor – BB: Duhen reforma strukturore, por perspektiva mbetet pozitive
Banka Botërore ka rishikuar në ulje parashikimet e saj për rritjen ekonomike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2018.
Edhe pse rrija u forcua gjatë vitit të kaluar në rastin e Shqipërisë, duke krijuar vende të reja pune dhe duke sjellë uljen e varfërisë, ritmi pritet të ulet për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha energjitike të financuara me investime të huaja direkte, TAP dhe HEC-i i Devollit.
Banka e uli parashikimin e rritjes për rajonin nga 3.3% në 3.2%, një perspektivë ekonomike përsëri pozitive, por paralajmëroi se ka nevojë për reforma strukturore.
Edhe pse borxhi publik ra gjatë vitit të kaluar duke arritur në 71% të PBB-së, raporti thekson se ka nevojë për një konsolidim më të madh fiskal, zhvillimi i të cilit u pengua nga dobësitë e sektorit të energjisë.
Banka Botërore vlerëson ndërkohë ecurinë e treguesve të tjerë të ekonomisë së vendit, veçanërisht shtimin e eksporteve dhe sistemin bankar, ku bankat vazhdojnë të jenë të mirëkapitalizuara dhe likuide, duke zgjeruar edhe kreditimin, nxitur nga segmenti i individëve.
Në nivel rajonal, institucioni ndërkombëtar shprehet se rreziqet që i kanosen rritjes ekonomisë mund të shmangen duke racionalizuar shpenzimet për të ndërtuar një hapësirë fiskale për reforma që nxisin rritjen dhe duke përdorur një mënyrë më strategjike për të nxitur konkurrueshmërinë.
“Investimi i kujdesshëm publik financiar dhe menaxhimi buxhetor do të ndihmojë të sigurojë se risqet fiskale që janë të lidhura me investimet janë të minimizuara”, thotë raporti sa i takon përpjekjeve të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi për të ringjallur investimet kapitale që ndihmojnë në rritje.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.