Ngadalësohet tregtia kineze – Eksportet dhe importet zbusin hapin, ka shqetësime
Eksportet dhe importet kineze u rritën më pak se pritshmëritë gjatë muajit Korrik, duke ngritur shqetësime për shëndetin e ekonomisë globale dhe kërkesën e dobët.
Të dhënat shkaktuan edhe një rënie të tregjeve kryesore të aksioneve nëpër botë.
Tregtia kineze u rrit me 8.8% gjatë Korrikut, por ky është në fakt hapi më i ngadaltë për këtë vit.
Ekspertët ndërkohë argumentojnë se, kërkesa e jashtme nuk po jep ende sinjale alarmi.
Shqetësuese sipas tyre është situata e importeve, pra kërkesa kineze për produkte të jashtme.
Eksportet u ngadalësuan kështu në 7.2% rritje gjatë Korrikut, tregojnë të dhënat e fundit. Në muajin Qershor, rritja fiksohej në plot 11.3%. Pritshmëritë flisnin për një normë rritje pranë 10.9%.
Importet ndërkohë u rritën me 11%, nga 17.2% që rriteshin muajin paraardhës. Pritshmëritë flisnin për një normë rritje pranë 16.6%. Ky është rezultati më i dobët që prej muajit Dhjetor.
Të dhënat sugjerojnë një sufiçit tregtar në 46.74 miliardë dollarë gjatë Korrikut, që është niveli më i lartë që prej Janarit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.